
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani është kthyer në qelitë e paraburgimit pas rreth 24 orësh qëndrimi në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u shtrua mbrëmjen e djeshme me urgjencë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se për shkak të statusit të tij të veçantë, Dumani iu nënshtrua një sërë analizash specifike për të parë gjendjen e tij të plotë shëndetësore, pas problemeve që shfaqi me zemrën, me qëllim për të përjashtuar ndonjë tentativë kriminale në adresë të tij.
Analizat paraprake të Institutit të Mjekësisë Ligjore, kanë përcaktuar se ai nuk ka përdorur droge apo alkool, por se analizat në rast se është helmuar, kërkojnë një kohë më të gjatë që të dalin.
Duke qenë se nuk ka pasur nevojë për një ndërhyrje, i penduari i drejtësisë është kthyer në qeli, pasi qëndroi i shtruar në reanimacion për rreth 24 orë.