
Ministria e Drejtësisë ka vijuar ciklin e tryezave dhe dëgjesave publike për Draftin e Kodit të ri Penal.
Kjo dëgjesë është kryesuar nga drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipit, ku bashkë me grupin e ekspertëve po analizohen dhe debatohen pretendimet nga burime të ndryshme pas prezantimit të këtij drafti në muajin korrik.
Kjo dëgjesë publike kishte sot seancën e dytë, ku Rakipi mbajti fjalën kryesore në lidhje me shpjegimin ligjor dhe juridik që i bëri pikave të diskutueshme apo që kanë ndezur debat në opinionin publik. Ai tha se Drafti i Kodit Penal është fryt i një punë disavjeçare, që kërkon konkretizimin me një debat të gjerë.
Do të jenë rreth 952 nene penale në këtë kod të ri penal, ku ka edhe çështje sensitive.
“Depenalizimi i veprave nuk është thjesht një çështje politike. Ajo është vepra e Parlamentit. Por elementet ligjore që përfshihen në këtë proces, të mos politizohen. Kjo është për të kuptuar qasjen politike për të kuptuar nëse do shkojmë te depenaliteti apo jo. Sigurisht politika është e rëndësishme, por më esenciale është raporti me jetën publike. Çështja që lidhet me depenalitetin duhet parë me sy progresiv. Këtu nuk bëhet fjalë për dëshira apo sondazhe të rreme, por sondazhe reale. Psh., a ja vlen të penalizohet çështja e alkoolit? Kjo në pikëpamje ligjore, por ka dhe çështje që duhet t’i depenalizojmë”, tha Rakipi para se të kalonte në shpjegimet konkrete për nenet dhe veprat më të diskutueshme.
Nisur nga debatet e shkaktuara, ai tha se ky diskutim publik është i rëndësishëm.
“Ndaj diskutimi publik është i rëndësishëm për të kuptuar dhe diskutuar nëse këto vepra duhen depenalizuar apo jo. Kjo çon edhe në rezultate më të besueshme. Ka disa burime ku është bazuar, Kodi aktual Penal, praktika gjyqësore, vepra të ngjashme të penalizuara nga agjencitë e tjera partnere. Burim tjetër janë direktivat, që japin një ide për të operuar brenda një marzhi dhe një tjetër burim është eksperienca, ku në bazë të këtyre burimeve dalim në një konkluzion më të materializuar në dispozitën që është paraqitur”, shpjegoi kreu i grupit të punës së Draftit.
Rakipi shpjegoi edhe dënimet plotësuese dhe lehtësuese të parashikuara në të paktën 105 vepra penale apo se cilat konsiderohen vepra të lehta.
“Një tjetër moment ku jemi bazuar është edhe elementi lehtësues i dënimit dhe alternativat e dënimit. 105 vepra penale ku mund të jepen dënime plotësuese të lehta. Vepër e lehtë konsiderohet ajo që ka një dënim më pak se 4 vite burg”, vijoi ai.
Lidhur me debatin e fortë për konsiderimin si të mitur të personave 18-21 vjeç që kryejnë krime, Rakipi sqaroi se cilësimi si i mitur në këto raste do bëhet vetëm kur vepra është e lehtë.
“I rrituri 18-21 nuk konsiderohet i mitur apriori, por nëse nuk do kryejë vepra të rënda dhe ka rrethana lehtësuese, këtu mund të konsiderohet si i mitur dhe mund të jepet një dënim lehtësues ndaj tij. Pra kur janë vepra me rëndësi të vogël”, shpjegoi ai.
Edhe për çështjet e veprave penale në fushën e narkotikëve, Rakipi mori për krahasim nenet penale të disa vendeve perëndimore, teksa theksoi se janë përfshirë disa raste dhe kategori me raste të veçanta.
“Nëse personi kapet me 20 gramë drogë dhe bashkëpunon duke treguar se nga e mori, ai mund të ketë rrethana plotësuese lehtësuese. Lehtësime edhe nëse kapen me më pak se 4 gramë heroinë dhe 3 gramë kokainë”, parashikohet në këtë draft.
Por ai i qëndroi idesë se dënimi i një përsëritësi në krim duhet të jetë i ndryshëm:
“Koncepti i dënimit me personin që është përsëritës apo kryen disa vepra penale, është i ndryshueshëm në krahasim me atë që nuk është përsëritës. Ndaj është paraqitur ky sistem, është disa herë më i mirë nga ai që kemi sot apo ai që zbatohet sot, por jo i padiskutueshëm”.
Sipas Rakipit, janë 950 nene që lidhen me dispozitat e fushës penale. Por shumë prej tyre janë dispozita dhe ka disa të tjera të papërfshira e mund të shkojnë në 952 nene.
Çështja më sensitive e trajtuar ishte ajo e nenit për shpifjen ndaj gazetarëve. Rakipi tha se nuk ka asgjë tendencioze dhe ky nen parashikohet vetëm për ata që bëjnë shpifje të qëllimtë, dashakeqëse, me qëllime përfitimi apo shantazhi dhe është parashikuar mbrojtje për rastet kur bëhet fjalë për një gabim.
Gjithsesi ai shpjegoi se çështja e depenalitetit për shpifjen qëndron më shumë në dorë të politikës, pasi ata mund të jepnin vetëm mendimin juridik, sepse në fund është politika ajo që vendos në Parlament.
“Nuk ka situatë tendencioze ndaj gazetarëve, por prevalon çështja e mbrojtjes së drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit. Këto çështje lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e përfitimit, dezinformimit, shantazhit dhe të tjera. Nuk ka lidhje me gazetarët, sepse ky qëllim nuk u takon atyre, por bëhet fjalë për interesat që përmenda dhe sistemi gjyqësor ka nevojë për mbështetje e mbrojtje dhe kjo duhet denoncuar. Sistemi gjyqësor goditet ditë pas dite, ku shpesh-herë magjistrati është i aftë të mbrohet e shpesh jo. Kjo mbron sistemin gjyqësor nga tendenca për ta nënshtruar. Sidomos sistemi ekzekutiv ka tendencën për të bërë zhurmë, ndaj ne kemi ndërmarrë këtë mbrojtje ndaj sistemit gjyqësor. Mbrojtja e sistemit të drejtësisë ndaj mendimin se është e domosdoshme dhe e nevojshme. Por kjo nuk cenon lirinë e shprehjes, përkundrazi e mbron këtë liri shprehjeje, por bazuar në ato që përmenda më sipër”, tha Rakipi në lidhje me mbrojtjen e sistemit gjyqësor nga sulmet apo shpifjet.
Teksa më tej kaloi edhe tek ajo që lidhet me shpifjet në media:
“Çështja e dytë është ajo e shpifjes dhe kjo nuk i atribuohet vetëm gazetarëve, sepse mund të shpifi kushdo. Mendoj se duke i përjashtuar gazetarët nga neni për shpifjen, duket sikur u jep lirinë atyre për të shpifur. Por themi se gazetari duhet përjashtuar nga penalitetet, sepse edhe ai mund të gabojë dhe i duhet një mbrojtje, ndaj ne këtë e kemi përjashtuar. Shqipëria ka një premtim për ta dekriminalizuar shpifjen. Shqipërisë nuk i vjen e keqja, nuk mund t’i vijë dhe nuk duhet t’i vijë nga parashikimi apo jo i nenit të shpifjes. Kjo merr më shumë autoritet politik për t’u zgjidhur, është çështje dyfishe, me diskutim juridik dhe politik. Por unë mendoj se kjo duhet të zbutet dhe të vendosen ekuilibrat në lidhje me diskutimin për shpifjen. Por ajo që dua të them është se çështja nuk duhet t’i anashkalohet aspektit juridik. Ka disa vende në BE, rajon, Europë që e kanë depenalizuar shpifjen, siç është dhe Kosova. Por depenalizimi i shpifjes mund të çojë ide dhe mesazhe se ne po lëshojmë licenca për shpifjen”, tha Rakipi.
Ai preku edhe çështjen e lirimeve me kusht të të dënuarve me vdekje, duke shpjeguar se kjo është keqinterpretuar kur u hap diskutimi në muajin korrik, pasi drafti nuk ishte lexuar, ndaj edhe është hedhur në diskutim. Sipas Rakipit, Gjykata do e aplikojë këtë lirim me kusht vetëm nëse është arritur paqja sociale me viktimën (familjen e tij).
“Ta lidhim lirimin me kusht për dënimin me vdekje, në lidhje me viktimën, ta lidhim me paqen me familjen e viktimës, pra që i shërbejnë paqes sociale, nëse kjo marrëdhënie nuk arrihet, gjykata e ndjek këtë, nëse është e parregulluar apo e ndotur. Pra, e theksoj, lidhet gjithmonë me paqen sociale me viktimën, mbi bazën e kësaj të zbatohet edhe lirimi me kusht në rastet e dënimit me vdekje, sepse kemi raste të vrasjeve për hakmarrje apo gjakmarrje të 20-30 viteve më parë”, tha Rakipi.