
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e ekstradimit në Shqipëri të Soni Pepës alias Vilson Pepa, i arrestuar në Punta Cana në Republikën Domenikane.
Ekstradimi i 41-vjeçarit, Soni Pepa u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm (7 shtator).
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi:
Finalizohet ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., nga Punta Cana/Republika Domenikane, në Shqipëri.
Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.
Kush eshte Soni Pepa?
41-vjeçari Vilson Pepa, pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, u arrestua në Republikën Dominikane pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas policisë dominikane, 41-vjeçari i njohur edhe si Soni Pepa rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë në të njëjtin qytet. Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Villetas, në Paraguai, me destinacion portin e Antverpit, në Belgjikë.
Në momentin e ndalimit, 41-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë. Emri i Vilson Pepës ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 8 gusht, ku u godit sërish organizatën kriminale të Franc Çopjas në Elbasan.
Prokuroria lëshoi 16 urdhër arreste në kuadër të këtij hetimi, 14 masa arresti në burg ndërsa dy të tjerë në detyrim paraqitje. Sipas SPAK, grupi akuzohet për trafikun e 28 tonë kokainë në Evropë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 tonë u sekuestruan. Prokuroria e ka cilësuar organizatën e Çopjave si ndër më të fuqishmet dhe që ndikon çmimin e kokainës në tregjet evropiane.
SPAK akuzon organizatën për dy episode të trafikut të drogës. Në shtator të vitit 2020, u organizua trafiku i 11.6 tonëve kokainë, e fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”, ngarkesë e cila u nis nga porti i Villeta në Paraguai dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020. 600 kg u sekuestruan dhe 2 milionë euro, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë.
Në periudhën dhjetor 2020-shkurt 2021 u trafikuan 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/ kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo me vlerë tregu prej 1.5 miliardë deri 3.5 miliardë euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.