
Përfaqësuesi i PD, Eno Bozdo, e ka cilësuar si “akt rrëmbimi banditesk” marrjen e dosjeve të gazetarëve investigativë të News 24.
Sipas tij, këta gazetarë po hetonin çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, përfshirë korrupsionin në nivele të larta.
Bozdo theksoi se ky veprim përbën një goditje të rëndë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe një përpjekje flagrante për të frikësuar e censuruar zërat kritikë.
“Denojë me forcë aktin e rrëmbimit banditesk nga Policia e shtetit dhe Policia Ushtarake, të dosjeve të gazetarëve investigativë të News 24, të cilët po hetonin çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, përfshirë korrupsionin dhe lidhjet të Edi Ramës dhe kabinetit të tij me elementë të krimit të organizuar.
Ky veprim përbën një goditje të rëndë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe një përpjekje flagrante për të frikësuar dhe censuruar zërat kritikë. Marrja e materialeve hetimore pa transparencë dhe jashtë çdo garancie ligjore është një akt arbitrar dhe i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Policia e Shtetit të ndalë menjëherë çdo veprim që pengon punën e gazetarëve.Cdo sulm ndaj medias së lirë është sulm ndaj demokracisë!”, shkruan Bozdo në Facebook.