13 aksidente automobilistike regjistrohen çdo ditë në rrugët e vendit tonë për shkak të shpejtësisë dhe mos respektimit të rregullave të qarkullimit.
Gati 500 u regjistruan gjatë muajit korrik dhe po aq në qershor ndërkohë që ngarkesa më e madhe nëpër rrugë pritet të jetë gjatë muajit gusht për shkak të emigrantëve që vijnë për të pushuar, por edhe turistëve të huaj. Drejtori i qendrës Kombëtare të Urgjencës Dr Skënder Brataj thekson se numri i të aksidentuarve dhe të dëmtuarëve është më lartë.
“Ka ndryshuar edhe natyra e aksidenteve pasi përplasen disa makina zinxhir dhe janë të tejmbushura me pasagjerë çka e rrit numrin e të dëmtuarve dhe po kështu kanë nevojë për transport për të marrë ekzaminimet e duhura”, shprehet Dr. Skënder Brataj.
Aksi Levan Fier ku ndodhi një tjetër aksident këtë të mërkurë është ndër akset problematike ndërkohë që Dr. Brataj ka një thirrje për drejtuesit e policisë.
“Janë këto akset, Levan -Fier, Lezhë – Milot …. të cilat janë rrugë shtetëror nuk kanë sinjalistikën e duhur ose nuk kanë kontroll policor para ata janë zhvendosur më së shumti në autostrada. Ndaj kjo është një thirrje për policinë që të jetë më prezente në këto rrugë”, shton më tej ai.
Për shkak te turizmit ne rritje gjate verës rritet edhe numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët tona.
“Nga analiza e një viti më parë rezultoi se qarkulluan afro 4 milionë makina. Pati 80 mijë regjistrime për herë të parë, 2 milionë hyrje dalje dhe 1 milion janë makina në vend”, përfundon Dr. Brataj.
Respektimi i rregullave te qarkullimit, mos drejtimi i automjeteve nën efektine alkoolit dhe substancave mbetet ne ndërgjegjen e gjithkujt që është në timon.