“Sabotim i qëllimshëm”/ Erdogan-it i heqin zërin sapo filloi të fliste për Palestinën në OKB (VIDEO)

1

Mediat turke raportuan se presidenti Rexhep Tajip Erdogan u përball me probleme teknike gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, pikërisht në momentin kur ai po fliste për situatën në Palestinë dhe dhunën e vazhdueshme në Gaza nga Izraeli. Në ato çaste, audio u ndërpre, çka u cilësua nga disa media turke si një “sabotim i qëllimshëm”.

Megjithatë, Drejtoria e Komunikimit e Turqisë reagoi menjëherë, duke sqaruar se nuk ka pasur ndërprerje të fjalimit të presidentit Erdogan, por gjithçka ndodhi sipas rregullave teknike të Asamblesë. Në deklaratë u theksua se krerët e shteteve dhe qeverive kanë në dispozicion pesë minuta për të folur, ndërsa folësit e tjerë vetëm tre minuta.

Sipas drejtuesve të komunikimit, mikrofoni i Erdogan-it u fik automatikisht në përfundim të minutës së pestë, siç parashikohet nga protokolli teknik. Ata shtuan se gjatë fjalimit pati disa ndërprerje të shkurtra vetëm për shkak të duartrokitjeve të delegatëve, ndërsa presidenti e mbylli fjalën e tij menjëherë pas sinjalit të fundit.

Në të njëjtën mënyrë, sipas deklaratës, mikrofoni i presidentit të Indonezisë u fik automatikisht, duke treguar se rregulli u zbatua njësoj për të gjithë.