Qeveria e SHBA-së planifikon t’u kërkojë qytetarëve nga disa vende të caktuara që shkojnë atje si turistë ose për biznes që të paguajnë një depozitë deri në 15,000 dollarë kur marrin vizën. Kjo masë synon të sigurojë që udhëtarët “të përmbushin kushtet e vizavetë tyre dhe të largohen nga Shtetet e Bashkuara në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin zyrtar të Regjistrit Federal të SHBA-së.
Kjo masë hyn në fuqi më 20 gusht dhe do të testohet fillimisht si projekt pilot për rreth 12-muaj.
Të prekur do të jenë qytetarë nga vende që kanë shkallë të lartë qëndrimesh të paligjshme pas skadimit të vizës.
Një raport i Departamentit të Sigurisë Kombëtare i vitit 2023 rendit Çadin, Eritrenë, Myanmarin, Jemenin dhe Haitin si vende të tilla.
Shtetasit e Visa Waiver Program nuk preken
Shtetasit e vendeve që marrin pjesë në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program) nuk preken nga rregulli i ri. Ndër 42 vendet pjesëmarrëse në Programin e Heqjes së Vizave bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së. Shtetasit e këtyre vendeve mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa vizë deri në 90 ditë.
Shuma e garancisë kompetencë e konsullatave
Sipas qeverisë së SHBA-së, shuma që duhet të paguhet si garanci do të vendoset nga punonjësit e konsullatave të SHBA-së, dhe ato mund të jenë 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarë. Kush shkel kushtet e vizës nuk do t’i kthehen paratë e mbajtura si depozitë. Dhe depozitat e mbajtura mund të përdoren për të mbuluar shpenzimet e qeverisë amerikane për procedurat e dëbimit.
Rregulli i ri është pjesë e masave të administratës së Trumpit për të ashpërsuar kërkesat për aplikantët për viza.
Ideja e garancisë për viza është propozuar edhe më parë, por Departamenti i Shtetit ka qenë kundër kësaj kërkese për shkak të procesit të ndërlikuar të depozitimit dhe kthimit të garancisë, si dhe për shkak të perceptimeve të gabuara që mund të krijohen në publik./DW