
SHBA-të kanë dyfishuar shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në 50 milionë dollarë (37.2 milionë paund), duke e akuzuar atë si “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është një kritik i hershëm i Maduros, i cili u rikthye në detyrë në janar pas zgjedhjeve të shoqëruara me akuza për manipulim votash. Rezultatet u refuzuan gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se SHBA-të do të dyfishojnë shpërblimin prej 25 milionë dollarësh të shpallur tashmë duke shtuar se Maduro ishte i lidhur trafikun e drogës.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se shpërblimi i ri ishte “patetik” dhe e etiketoi atë si “propagandë politike”.
Gjatë mandatit të parë të Trump, qeveria amerikane akuzoi Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelianë për një sërë veprash penale, duke përfshirë narkoterrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.
Në atë kohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pretendoi se Maduro kishte bashkëpunuar me grupin rebel kolumbian Farc për të “përdorur kokainën si armë për të ‘përmbytur’ Shtetet e Bashkuara”.
Në një video të postuar në X të enjten, Bondi akuzoi Maduron për koordinim me grupe si Tren de Aragua, një bandë venezueliane që administrata Trump e ka shpallur një organizatë terroriste, dhe Karteli Sinaloa, një rrjet i fuqishëm kriminal me bazë në Meksikë.