Policia e Kosovës ka arritur të zbardhë vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 10 gushtit, në Prizren të Kosovës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tusuz”, ku një person është goditur me thikë nga një 35-vjeçar. Shkak për ngjarjen është bërë një konflikt mes autorit dhe viktimës mbi aktivitetin e paligjshëm të ndeshjeve me qen, që ata zhvillonin.
Sipas hetimeve, ata fillimisht janë konfli8ktuar me fjalë, e më pas 35-vjeçari ka qëlluar viktimën. Ky i fundit u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, më datë 10.08.2025 rreth orës 20:30 minuta në lagjen ‘Tusuz’ në rrugën ‘Lapidari’ në Prizren, i pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.Sh., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra”, thuhet në njoftim.