Shkëmbim zjarri mes policisë dhe një personi në SHBA/ Humb jetën një oficer, autori vret veten pas ngjarjes

2
shkembim-zjarri-mes-policise-dhe-nje-personi-ne-shba/-humb-jeten-nje-oficer,-autori-vret-veten-pas-ngjarjes
Shkëmbim zjarri mes policisë dhe një personi në SHBA/ Humb jetën një oficer, autori vret veten pas ngjarjes

Një oficer policie ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur pasditen e djeshme pranë selisë së Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Atlanta, SHBA. Ngjarja ndodhi para orës 17:00, në afërsi të kompleksit të CDC-së dhe një farmacie aty pranë.

Sipas autoriteteve, autori i dyshuar, i cili besohet se ka vepruar i vetëm, është gjetur më pas i vdekur në katin e dytë të farmacisë, ku mendohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri. Identiteti i tij ende nuk është bërë publik.

Shefi i Policisë së Atlantës, Darin Shirbaum, konfirmoi se gjatë incidentit nuk ka pasur viktima të tjera në radhët e civilëve. “Asnjë civil nuk u vra nga të shtënat me armë zjarri në këtë sulm,” deklaroi edhe kryebashkiaku i Atlantës, Andre Dickens, duke shtuar se situata u menaxhua me shpejtësi dhe 92 fëmijë që ndodheshin në një qendër kujdesi ditore në kompleks u evakuuan dhe u bashkuan të sigurt me familjet e tyre në një shkollë aty pranë.

Sipas raportimeve të CNN dhe The New York Times, i dyshuari besonte se një sëmundje nga e cila vuante ishte shkaktuar nga vaksina kundër koronavirusit, çka mund të ketë qenë një ndër arsyet që e shtyu drejt aktit të dhunshëm. Mediat citojnë burime jozyrtare që thonë se babai i autorit kishte njoftuar autoritetet një ditë më parë për një përpjekje të mundshme të të birit për vetëvrasje.

Oficeri i rënë në krye të detyrës është identifikuar si David Rose, 33 vjeç. Ai la pas një bashkëshorte shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël. Vdekja e tij ka tronditur komunitetin dhe autoritetet kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse CDC ishte objektivi i qëllimshëm i autorit për shkak të pikëpamjeve të tij rreth vaksinës kundër COVID-19.

after content