
Efektivi 26-vjeçar Klajdi Mustaj, i cili shpëtoi personat në një automjet që u aksidentua në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” në Fier dhe rrezikoi të shpërthente në flakë, ka folur për këtë akt, për të cilin mori vlerësim edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
“Ishte instikti i policit”, thotë i riu që ka vetëm dy vite që është pjesë e strukturave të policisë, duke shtuar se sapo kishte lënë shërbimin dhe po kthehej për në shtëpi, kur pa automjetin e aksidentuar.#
Mustaj rrëfen se në fillim ka ndërhyrë me fikësen e zjarrit që mbante në automjet duke shmangur shpërthimin e flakëve dhe më pas ka nxjerrë të parin fëmijën që ndodhej brenda në të e më pas dy të tjerët.
“Pasi kam lënë shërbimin, po kthehesha në shtëpi dhe aty papritur pashë që makina ka humbur kontrollin, ka bërë disa rrotullime dhe është përplasur me disa pemë anash. Kam ndërhyrë menjëherë, mora mjetin fikës që kisha në mjet, kam shuar flakët.
Gjëja e parë që kam bërë kam nxjerrë fëmijën, duke mos e menduar dy herë. Ishte thjesht profesionalizmi, instikti i policit dhe humanizmi njerëzor. Kam nxjerrë fëmijët nga makina, drejtuesin e mjetit dhe më pas kam raportuar përmes radios në sallën e komandimit. Pas pak minutash, erdhi policia dhe shërbimet e tjera si zjarrfikësja dhe autoambulanca”, tha ai.
Klajdi tregon se është prej dy vitesh pjesë e policisë në sektorin e qarkullimit në Drejtorinë Vendore të Fierit. Ai thotë se ka përfunduar studimet për juridik, por ëndrra e tij ka qenë gjithmonë që të ishte pjesë e uniformave blu.
“Kam rreth dy vite që punoj në Policinë e Fierit, në sektorin e trafikut interurban dhe urban, në qarkullim. Përfundova studimet e larta për jurist por ka qenë gjithmonë ëndrra ime që të jem pjesë e uniformave blu dhe në shërbim të qytetarëve.”, shton mes të tjerash Klajdi.
Një apel kishte edhe për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore pasi edhe gabimi më i vogël mund të rezultojë fatal për jetët e njerëzve./report tv