Shqiptari në Greqi ishte anëtar i një bande, ja pse ia mori jetën gruas

1
shqiptari-ne-greqi-ishte-anetar-i-nje-bande,-ja-pse-ia-mori-jeten-gruas
Shqiptari në Greqi ishte anëtar i një bande, ja pse ia mori jetën gruas

Autori i krimit brenda faniljes që ndodhi në Volos u kap sot nga autoritetet. Të premten paradite, rreth orës 11, një grua shqiptare 36-vjeçare humbi jetën brenda shtëpisë së saj nga dora e bashkëshortit 40-vjeçar, gjithashtu shqiptar. Sipas dëshmive, çifti po zihej për një kohë të gjatë para syve të katër fëmijëve të tyre, të moshës 5 deri 18 vjeç.

Pse e vrau?

Sipas informacioneve nga gazetari i kronikës së zezë të gazetave Ta Nea dhe To Vima, Vasilis Lambropoulos, fëmijët treguan në polici se familja kishte probleme të mëdha, kryesisht ekonomike, pasi vetëm dy fëmijët më të mëdhenj punonin. Për këtë arsye kishin vetëm një celular në shtëpi.

Babai, Pandeli Nakoleci, sipas fëmijëve, kishte probleme me drogën dhe kohët e fundit ishte i fiksuar me idenë se gruaja e tij Marjola Nakoleci, kishte një lidhje jashtëmartesore. Kjo ishte arsyeja e disa grindjeve të shpeshta.

“Sot, duket se e pa gruan e tij të shkruante diçka në celular, mendoi se ishte mesazh. Kjo çoi në një zënkë të madhe dhe ai mori mjetin e mprehtë me të cilin e goditi. Fëmijët dëshmuan se babai i tyre kishte probleme serioze me narkotikët”, shpjegon gazetari.

Profili i autorit të dyshuar

40-vjeçari ka qenë i akuzuar më parë për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shkelje të ligjit për narkotikët, ndërsa në fund të qershorit 2025 ishte dërguar me urdhër prokurorie në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, ku qëndroi për trajtim.

“Është tregues fakti se më 28 qershor 2025 u dërgua në klinikën psikiatrike. Një ditë më parë kishte bërë një tentativë vetëvrasjeje në ballkonin e shtëpisë, përsëri para fëmijëve të tij”, shton Lambropoulos.

“Ky njeri është arrestuar 3–4 herë gjatë vitit 2019, shumicën e herëve për trafik droge. Në shtator dhe tetor 2019 u kap për posedim droge dhe në dhjetor të po atij viti u zbulua në Pella për pjesëmarrje në organizatë kriminale që shpërndante kokainë. U burgos për dy muaj”, përfundon gazetari.

Kronologjia e ngjarjes

Gjatë konfliktit, 40-vjeçari, sipas burimeve, e goditi gruan me thikë. Ajo u përpoq të ikte drejt hyrjes së pallatit, por aty mori edhe një goditje tjetër dhe ra mbi xhamin e hyrjes në rrugën Konstanta 17, i cili u thye dhe e plagosi rëndë.

36-vjeçarja e pafat u transportua me autoambulancë drejt spitalit, duke pasur ende ndjenja, por ndërroi jetë gjatë rrugës.

Shenjat tregojnë për sulm me mjet të mprehtë që i shkaktoi plagë fatale. Menjëherë pas krimit, burri braktisi banesën dhe u largua me vrap drejt rrugës Gladstonos dhe sot u kap nga policia.

Sipas raportimeve, nuk ishte hera e parë që ndodhte dhunë në familje. Viktima 36-vjeçare e kishte dëbuar më parë burrin nga shtëpia, por më pas e kishte pranuar sërish.

Policia ka nisur një operacion në shkallë të gjerë për ta lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa në vendngjarje ndodhen mjeko-ligjori dhe ambulanca. Zona mbetet e rrethuar nga forca të shumta policore.

Tre nga fëmijët (5, 7 dhe 16 vjeç) do të dërgohen fillimisht në Spitalin e Volosit dhe më pas do të kërkohet strehim në një qendër sociale.

Ky krim i ri ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë në komunitetin lokal, duke u shtuar listës makabre të gjenocideve ndaj grave që kanë tronditur Greqinë vitet e fundit. /noa.al