
“SPAK e tërhoqi urdhrin e arrestit ndaj Taulant Ballës, i cili – sipas Dumanit – e mbron Suel Çelën”. Kështu e nis rrëfimin e tij Fitim Dumani, në pjesën e dytë të intervistës së dhënë për Ma Shqip me Flamur Vezaj.
Sipas Dumanit, Taulant Balla e mbron Suel Çelën dhe derisa të jetë Balla në politikë, Çela nuk arrestohet, pasi lëviz lirshëm në rrugët e Elbasanit. Ai thotë se kur doli urdhër-arresti për Çelën, u lëshua edhe për Ballën, por çuditërisht ai urdhër u tërhoq nga SPAK. Ndërsa shton se Suel Çela u filmua nga dy motra në Elbasan, edhe pse ishte në kërkim, dhe iu dërgua Nuredin Dumanit në burg foto e video, të cilat – sipas tij – i ka edhe SPAK, por nuk vepron.
Ai tregon për Ma Shqip edhe për tentimin që Emiljano Shullazi ka bërë brenda në burg për ta bërë të heshtë vëllain e tij:
“E di që në burg, Emiljano Shullazi ka kërkuar takim me mua dhe vëllain në 313, ku do ndaleshin kamerat që të bëhej takimi, pasi Shullazi ofronte 700 mijë euro që Nuredini të tërhiqte dëshminë për Suel Çelën dhe Gent Sharrën. Këto para do paguheshin 500 mijë euro nga Suel Çela dhe 200 mijë nga Gent Sharra. Por nuk u bë takimi se e kuptuan se kishim njoftuar SPAK,” – tha Dumani, duke shtuar se edhe sot ka plot oferta nga kriminelë e grupe të caktuara me para që vëllai të heshtë.
Nuredin Dumani tregon edhe njohjen që Ilir Meta, sot në burg, ka me Xhevdet Troplinin, i njohur si Poja, një personazh i njohur i botës së krimit. Ai tregon një episod ku ka qenë vetë prezent gjatë fushatës 2017, kur Meta ishte President, dhe erdhi në një darkë festive të organizuar nga Poja, ku presidenti i Shqipërisë në atë kohë u detyrua të ngrihet e të kërcejë.
Duke shtuar këtu se vrasësi i Aleksandër Ndokës nuk është Durim Bami dhe as urdhër-dhënësi, pasi atë urdhër e ka dhënë një personazh i njohur i politikës që sot ndodhet në burg:
“Ngatërrojnë kot Durim Bamin. Vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit të PS, e ka urdhëruar një ish-zyrtar i lartë i shtetit që sot ndodhet në burg.”
Nga ana tjetër, ai tregon edhe për faktin se si Poja, me ndërhyrjet e tij, i kishte mbyllur dosjen e Fitim Dumanit për blerjen e votave për LSI në vitin 2017. Sipas Dumanit, i vëllai nuk ka bërë asnjë vrasje për Pojën, por i ka siguruar makinën dhe armën Fatmir Troplinit, i njohur si Miri i Pojës, i cili ka vrarë kunatin e Lul Berishës, Mond Çeçiqin.
Po Miri i Pojës – shton ai – ka vrarë edhe Mond Harizajn (“Faqe Djeguri”), si dhe ish-agjentin e policisë në atentatin në Sukth.
Gjithashtu, Dumani tregon edhe ku i ka çuar vëllai i tij paratë e vrasjeve dhe lidhjet me Bajrat e Shkodrës, duke hedhur akuza ndaj Behar Bajrit si të pabesë dhe mashtrues. Ai flet edhe për Vis Maitinajn, Eldi Dizdarin, vëllezërit Franc e Hajdar Çopja, Erjon Alibeajn e Talo Çelën.
Ndërkohë hedh hije dyshimi për SPAK pse ka larguar nga mbrojtja e dëshmitarëve Klevis Allën, personin e përfshirë në vrasjen e katërfishtë në Durrës. Ndërsa flet edhe për vrasjen e Bujar Çelës, që sipas tij është bërë pa para, por ndryshe rezulton në dosje.