SPAK gati t’i komunikojë akuzat Belinda Ballukut, zëvendësja e Ramës fut në lojë Arben Rakipin dhe merr studion e…

4
spak-gati-t’i-komunikoje-akuzat-belinda-ballukut,-zevendesja-e-rames-fut-ne-loje-arben-rakipin-dhe-merr-studion-e…
SPAK gati t’i komunikojë akuzat Belinda Ballukut, zëvendësja e Ramës fut në lojë Arben Rakipin dhe merr studion e…

SPAK gati t’i komunikojë akuzat Belinda Ballukut, zëvendësja e Ramës fut në lojë Arben Rakipin dhe merr studion e Erion Veliajt për t’u mbrojtur në dosjen penale që pritet të tronditë kupolën e qeverisë
Belinda Balluku, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është në qendër të një hetimi të thelluar penal nga SPAK. E konsideruar si figura më e fuqishme pas kryeministrit Edi Rama në ekzekutiv, Balluku po përgatitet të përballet me akuzat zyrtare që pritet t’i komunikohen nga Prokuroria e Posaçme, e cila tashmë ka nisur procedurat konkrete për çështje të rënda që lidhen me korrupsion, shpërdorim të detyrës, abuzim me fondet publike dhe pastrim parash. Deri më tani, është raportuar nga mediat vetëm një paraqitje e saj në SPAK më 15 maj 2024, ku u mor në pyetje si person me dijeni për aferën e inceneratorëve dhe disa tendera në fushën e infrastrukturës. Por burime të sigurta konfirmojnë se kjo nuk ka qenë hera e vetme. Balluku është paraqitur disa herë dhe burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se SPAK i ka kërkuar të paraqesë përfaqësim ligjor, duke nënkuptuar se statusi i saj procedural mund të ketë kaluar në atë të të hetuarës zyrtarisht. Pra Balluku e ka kuptuar që ka ardhur koha të përgjigjet me avokat, pasi tani do përballet me fakte dhe akuza, të cilat kërkojnë përballë argumentin juridik të mbrojtjes.

Lëvizja e Ballukut

Në këtë kuadër, gazeta “Sot” ka mësuar se Balluku ka zgjedhur një nga studiot ligjore më të njohura dhe më të lidhura me strukturat politike në vend: “Rakipi & Partners”. Kjo studio, e administruar nga avokati Ermir Beta dhe themeluar nga Arben Rakipi, është e njëjta që përfaqëson edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në përballjet e tij me drejtësinë. Zyra ndodhet në zonën e “Bllokut”, ku janë parë kohët e fundit vizita të shpeshta nga vetë Belinda Balluku. Sipas burimeve të mirëinformuara, ajo është takuar disa herë kokë më kokë me Arben Rakipin dhe më pas ka përzgjedhur studion si përfaqësim ligjor në përballjen e saj me SPAK

Profili i studios ligjore dhe lidhjet me pushtetin

Ermir Beta, drejtuesi aktual dhe aksioner me 20% i studios “Rakipi & Partners”, është një ish-prokuror me përvojë dhjetëvjeçare, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe më pas në Shkollën e Magjistraturës. I licencuar për përfaqësime të specializuara për markat dhe patentat, ai ka qenë pjesë e strukturave të drejtësisë, por u largua nga detyra para se të niste procesi i rivlerësimit. Studio e tij ka qenë në qendër të disa kontestimeve për ndërhyrje politike dhe lidhje të ngushta me zyrtarë të lartë socialistë, përfshirë Erion Veliajn. Tani, kjo studio do të marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Belinda Ballukut në një sërë hetimesh penale që po zgjerohen dita ditës dhe që përfshijnë emra kyç të kupolës shtetërore.

Hetimet ndaj Ballukut

SPAK ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore ndaj Ballukut. Agjentët specialë kanë kontrolluar disa kohë më parë banesën e zv.ministres, duke sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe objekte me vlerë të lartë që mund të lidhen me pasuri të pajustifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar celularët dhe pajisjet e bashkëpunëtorëve më të afërt të saj, për të nxjerrë të dhëna që lidhen me tendera, koncesione dhe ndërhyrje në prokurime publike. Kujtojmë se Balluku është përfshirë në hetimin për inceneratorin e Tiranës, një projekt 128 milionë euro që, megjithëse është kontraktuar që në 2017, nuk është ndërtuar ende dhe funksionon vetëm si landfill. SPAK ka vendosur nën sekuestro kontratën dhe ka nisur hetimet për mënyrën se si Ministria e Infrastrukturës, me Ballukun në krye, ka ndjekur procedurat e zbatimit dhe ka kontrolluar zbatimin e kontratës. Ajo gjithashtu ka dy dosje të hapura nga SPAK për Tunelin e Llogarasë. Në njërën dosje, SPAK heton anulimin e një tenderi fituar nga “Gjoka Konstruksion” me ofertë 140 milionë euro dhe shpalljen fituese të dy kompanive turke me ofertë 170 milionë euro, të cilat më pas nënkontraktuan sërish “Gjokën”. Dosja tjetër lidhet me tenderin për mbikëqyrjen e punimeve, ku kompania “Net Group”, në pronësi të Valter Begajt, bashkëpunëtor i zyrtarit të arrestuar Evis Berberi, fitoi në rrethana të dyshimta.

Rrjeti i tenderave të OSHEE-së dhe konflikti i interesit

Një skemë abuzimi me fondet publike lidhet me Blendian Dalipin, drejtor i OSHEE-së, dhe babain e tij, pronar i kompanisë “IDK Konstruksion”, e cila ka përfituar mbi 30 milionë euro tendera, shumica nga institucionet e varura nga Balluku. Ajo ka firmosur personalisht një kontratë koncesionare me këtë kompani në dhjetor 2024, duke e bërë veten pjesë të drejtpërdrejtë të konfliktit të interesit.

Drejtorë të hetuar dhe të arrestuar

SPAK ka marrë të pandehur disa javë më parë administratorin e KESH, Erald Elezi, dhe drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli, për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Bashkë me ta, edhe Evis Berberi është nën hetim për tenderat që ai ka dhënë kompanive të ortakëve të tij dhe që kanë përfituar milionë euro nga fondet publike. Po ashtu vartësi i ministres, Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri është marrë i pandehur nga SPAK.

Aferat me energjinë

Gjithashtu para disa javësh, Prokuroria e Posaçme njoftoi ka nisur hetimet mbi dyshimin e shitblerjes së paligjshme të energjisë elektrike nga OSHEE, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku, përmes një skeme korruptive, që sipas PD i ka shkaktuar dëm 180 milionë euro shtetit. “KESH nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private të shitblerjes së energjisë elektrike. Vitin e kaluar, KESH ka deklaruar se ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë. KESH-i jo vetëm ka blerë shtrenjtë jashtë bursës, por edhe ka shitur lirë po jashtë bursës, megjithëse ligji ia ndalon tregtimin jashtë bursës shqiptare të energjisë. Vetëm për vitin 2023, KESH ka shitur jashtë bursës rreth 640 mijë megavat orë energji”, denoncoi opozita. Po me dijeni të Ballukut, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH, Bardhi thotë se KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme. “Këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, KESH nuk i ka raportuar, sepse, kur të dhënat kryqëzohen, rezulton se kompania shtetërore e energjisë nuk ka mbrojtur interesin publik për të rritur fitimet apo minimizuar humbjet, por ka vepruar në interes të kompanive private për rritjen e fitimit të tyre. Belinda Balluku, e cila kontrollon çdo strukturë që ka lidhje me shitblerjen, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, që nga KESH, OST, OSHEE nuk mund të bëjë të paditurën! Ministrja e Energjisë ka firmosur për bilancet e rreme dhe të falsifikuara të KESH-it”, thuhet në dosjen që është hapur nga SPAK.

“2 ‘tigrat’ e Belindës

Balluku është denoncuar në SPAK dhe për aferën me dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Duke e quajtur një skemë si ajo e inceneratorëve, opozita tha se dy TEC-et lundruese nuk janë vendosur ende në punë dhe kjo tregon se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike. Akuzat janë se kompania për dy TEC-et ishte paracaktuar nga Balluku. Për këtë opozita thotë se ka dokumente që e provojnë. Këto fakte kanë shkuar në SPAK.

Abuzimi me projektin me ndërtimin e impiantit fotovoltaik

Gjithashtu Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK disa kohë më parë një padi ndaj Ballukut të cilën e akuzon se ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës. Balluku firmosi për një kosto 8 milionë për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës ndërkohë që nga privati kushtonte 3 mln euro. “Vetëm me firmën e Belinda Ballukut mund të ndodhë që një projekt, i cili, kur ndërtohet nga shteti, nga KESH-i, kushton 8 milionë euro dhe kur ndërtohet nga private kushton 3 milionë euro. Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro”, denoncoi opozita. PD thotë se ndërtimi i impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës në hidrocentralin e Vaut të Dejës po bëhet me kosto të fryrë, ndërsa për këtë në SPAK janë depozituar të gjitha dokumentet.

Paniku i Ballukut

Gjithë këto afera të rënda dhe marrja e një studioje si “Rakipi & Partners”, është sinjal se Balluku e di se përballja që vjen nuk do të jetë e lehtë. Por gjithashtu tregon se ajo është e përgatitur për të hyrë në një betejë frontale me drejtësinë, betejë nga e cila nuk dihet ende se kush do të mbijetojë politikisht: SPAK, që po ngjitet lart në zinxhirin e përgjegjësive, apo një nga figurat më të forta të qeverisë Rama

after content