SPAK ka marrë në pyetje ish-deputetin socialist Alqi Bllako në kuadër të hetimeve për aferën e “Eco Parkut” në Durrës. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Bllako ka dhënë dëshminë e tij rreth dhjetë ditë më parë, në cilësinë e ish-drejtorit të AKUM, ku është pyetur për më shumë se tre orë.
Çështja lidhet me vendimin e qeverisë në vitin 2019 për të mbyllur landfillin e Porto Romanos dhe për të ndërtuar “Eko Parkun”. Fillimisht, AKUM shpalli një tender në tetor të atij viti, i cili u anulua më pas, ndërsa qeveria vendosi që procedura të vijonte përmes negocimit të drejtpërdrejtë.
Tenderi me vlerë 18.5 milionë euro iu dha kompanive “De Mare” dhe “Victoria Invest”. Ndërkohë, Bllako, që aktualisht ndodhet në paraburgimin e Durrësit, është marrë disa herë në pyetje për këtë aferë.