SPAK, pritë “policëve të pistë”/ Prokuroria e Posaçme do “skanojë” kandidatët e Akademisë së Sigurisë për uniformën blu

1
spak,-prite-“policeve-te-piste”/-prokuroria-e-posacme-do-“skanoje”-kandidatet-e-akademise-se-sigurise-per-uniformen-blu
SPAK, pritë “policëve të pistë”/ Prokuroria e Posaçme do “skanojë” kandidatët e Akademisë së Sigurisë për uniformën blu

SPAK do të kontrollojë të gjithë kandidatët që aspirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, si masë për të parandaluar hyrjen e të ashtuquajturve “policë të pistë” në strukturë. Sipas rregullit të ri të Akademisë së Sigurisë, çdo aplikant duhet të marrë një vërtetim nga SPAK që tregon nëse është ose jo nën hetim apo ndjekje penale

Në Prokurorinë e Posaçme prej më shumë se 1 muaji janë dorëzuar dhjetëra kërkesa nga personat që duan të bëhen punonjës policie. Një nga rregullat e caktuara nga Akademia është marrja e një vërtetimi që provon nëse je në ndjekje penale apo nën hetim

Çdo person që do të kërkojë t’i bashkohet Policisë së Shtetit, fillimisht duhet të kalojë në filtrin e Prokurorisë së Posaçme, si një masë paraprake për garantimin e pastërtisë së figurës brenda strukturës!

Një nga rregullat e reja të vendosura nga Akademia e Sigurisë është se kandidati për të veshur uniformën blu duhet të ketë një përgjigje zyrtare nga SPAK, nëse kandidati ose kandidatja janë ose jo në hetim, apo ndjekje penale nga prokurorët speciale që ndjekin rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas dorëzimit të kërkesës me postë, Prokuroria e Posaçme është e detyruar t’i kthejë përgjigje kandidatit brenda një afati prej shtatë ditësh.

Përveç verifikimit nga SPAK, kontrolle shtesë për aplikantët kryhen edhe nga prokuroritë dhe gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, për të siguruar që kandidatët nuk kanë rekorde problematike apo çështje të hapura me drejtësinë.

Kjo kërkesë e re për marrjen e miratimit nga SPAK lidhet me numrin e madh të rasteve që po hetohen aktualisht për krim të organizuar dhe korrupsion.

Hetimet kanë treguar se jo pak efektivë të Policisë së Shtetit kanë rezultuar me lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar ose kanë pasur kontakte të papërshtatshme, duke vënë në dyshim integritetin e tyre profesional.