
Një atentat me dy viktima dhe dy të plagosur ka tronditur sërish Shkodrën, duke rikthyer vëmendjen te prania e grupeve kriminale në qytet.
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në një intervistë televizive, deklaroi se “Shteti e ka dhënë Shkodrën me koncesion”, duke akuzuar lidhjet mes krimit të organizuar dhe pushtetit.
Sipas tij, grupet kriminale në Shkodër veprojnë prej viteve ’90 dhe disponojnë fonde më të mëdha se vetë Ministria e Brendshme.
Hoxha theksoi se shumë ngjarje kriminale në Shkodër mbeten pa autorë dhe se krimi i organizuar po merr në dorë strukturat shoqërore. Ai kërkoi ndërhyrje kombëtare për zbardhjen e këtyre ngjarjeve dhe ndalimin e ndikimit të krimit në politikë.
Artan Hoxha:
Sot kemi organizata të mirëfillta. Ata kanë operuar që në vitet e para të viteve 1990. Kemi të bëjmë me struktura kriminale që kanë buxhet më të madh dhe se Ministria e Brendshme. Mbi të gjitha kemi struktura që marrin në dorë strukturën shoqërore të një ngjarjeje. Ashtu siç është trajtuar Shkodra, një pjesë janë larguar ose në Tiranë ose jashtë vendit. Në këtë ngjarje kemi diçka të veçantë sepse autori u kap shumë shpejt.
Kjo ishte ngjarja e radhës e përplasjes mes grupeve. Ende konfliktet në Shkodër nuk janë zgjidhur. Jemi vonë për të luftuar krimin në Shkodër, sepse ata kanë lidhje me pushtetin. Sa herë dëgjojmë histori me fajde, këta japin para me fajse, sepse këta ua japin personave që nuk iu marrin vetëm para, por edhe biznese e prona. Shteti e ka dhënë Shkodrën me koncesion. Shumë ngjarje në Shkodër nuk kanë autorë. Bardhok Pllana u vra dhe nuk ka autor, Mir Koçiu u vra dhe nuk ka persona të prangosur. Në Shkodër është një litar i trashë krimi.
Ia kam thënë kryeministrit në sy, se Shkodra sot nuk ka problem krimin e rrugës, por krimin e organizuar. Atje po ndodh që ka viktima e të plagosur që janë krejt të pafajshëm. Duhet një operator kombëtar që të zbardhë ngjarjet në Shkodër. Nëse lejon që kriminelë të emërojnë deputetë, ministra etj. tregon se ata kanë lidhje me pushtetin, derisa marrin dhe fonde publike, sepse kanë marrëveshje me pushtetin. Shkodra ngjan me Palermon e viteve 80’. Strukturat tona kanë dështuar.