Stuhia e fortë dhe reshjet e dendura pushtuan dje Shqipërinë, duke krijuar probleme në disa qytete.
Anulim fluturimesh, bllokimi i lundrimit në det në të gjitha portet, pemë të thyera e rrugë të përmbytura, ky është bilanci paraprak i shkaktuar nga stuhia.
kryeqytet, era e fortë rrëzoi disa pemë në rrugë të ndryshme, që krijuan kaos në trafik. U dëmtuan disa automjete të parkuara në rrugë.
Në Farkë u rrëzua edhe një shtyllë elektrike, çka solli bllokimin e rrugës.
Por u shënuan edhe disa dhjetëra raste plagosjesh, si dhe lëndim i 20 qytetarëve nga xhamat e thyer apo objektet e rëna nga ballkonet.
Në Durrës, erërat e forta shkaktuan shkëputjen e litarëve lidhës me kalatën të tragetit të linjës Durrës–Bari, duke e spostuar atë.
Ndërhyrja në kohë shmangu përplasjen me kalatën dhe, pas këtij momenti, trageti ka vijuar normalisht lundrimin drejt Barit. U pezullua lundrimi i anijeve të vogla dhe i mjeteve të peshkimit deri në përmirësimin e situatës. Ndërsa në qytet reshjet sollën sërish përmbytje.
Me përmbytje u përball edhe Vlora. Në lagjen “4 Heronjtë” në Vlorë, bllokimi i tubacioneve ka shkaktuar përmbytje në disa banesa të zonës, duke dëmtuar rëndë orenditë shtëpiake.
Uji ka shpërthyer nga rrugët dhe ka depërtuar brenda shtëpive, duke krijuar situatë të vështirë për banorët.
Zona historike, lagja “Pavarësia” dhe ajo e emëruar “Albano dhe Romina”, u pushtuan nga uji, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në të gjithë qytetin bregdetar, që duket i mësuar me situata të tilla tashmë.
Nuk i shpëtoi përmbytjeve as Lezha.
Në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe blloku i banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja, niveli i ujit kaloi 30 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Në disa zona, stuhia solli edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, një prej tyre zona turistike e Shëngjinit.
Moti i keq solli edhe trafik të rënduar në aksin Lezhë–Shkodër, pasi shumë prej pushuesve u larguan nga Shëngjini dhe Velipoja.
Stuhia e fortë që përfshiu edhe Maqedoninë e Veriut detyroi një traget turistësh, që po udhëtonin në liqen nga Shën Naumi drejt Ohrit, të shkelte në ujërat territoriale të Shqipërisë.
Edhe Lushnja nuk i shpëtoi pasojave nga stuhia. Rrugët u përmbytën në qendër të qytetit dhe zonën e gjimnazit “18 Tetori”. Edhe pse në këtë qytet u konstatuan probleme më të mëdha, stuhia shkaktoi dëme pothuajse në të gjithë vendin.
Pemët e rrëzuara, të cilat ishin të djegura nga zjarret e viteve të kaluar, ranë mbi rrugën Fier–Cakran, në vendin e quajtur Qafa e Shkozës, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin dhe duke e vështirësuar kalimin e automjeteve.
Situata u përmirësua disa orë gjatë pasdites, ndërsa reshjet rinisën në orët e vona të mbrëmjes, duke sjellë sërish përmirësim mëngjesin e sotëm.