
Një grup liderësh evropianë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të mëngjesit të sotëm me Trump dhe Zelensky, duke thënë se “hapi tjetër duhet të jetë zhvillimi i mëtejshëm i bisedimeve, duke përfshirë Presidentin Zelensky”.
Sipas BBC, liderët thonë se janë “gati të punojnë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelensky për një samit trepalësh me mbështetje evropiane”.
“Jemi të gatshëm të vazhdojmë presionin mbi Rusinë,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se “Ukraina mund të mbështetet tek solidariteti ynë i palëkundur ndërsa punojmë për një paqe që garanton interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”.
“Do t’i takojë Ukrainës të marrë vendime për territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” vazhdon deklarata, duke shtuar se liderët janë “të vendosur të bëjnë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë, në mënyrë që të arrihet fundi i luftimeve dhe një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Deklarata e përbashkët vjen nga:
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa