Kreu i PD-së Sali Berisha tha se seanca e kaluar ku qeveria miratoi pa debat programin “duhet të hidhet në koshin e plehrave”.
Berisha e cilësoi këtë seancë si një nga ngjarjet më të paprecedenta dhe më të turpshme në historinë parlamentare të vendit.
Sipas tij, qeveria po vepron në mënyrë të fshehtë dhe pa transparencë, duke shmangur debatin dhe votimin e hapur për arsye që lidhen me hetime të mundshme ndaj zyrtarëve të lartë vendorë. Sipas tij, seanca e kaluar “u bë për të maskuar Erion Veliaj”.
Ish kryeministri iu drejtua kryetarit te Kuvendit, Niko Peleshi, duke i thene “se shënove rekordin më të zi në historinë e parlamentarizmit të Evropës”
Sali Berisha: Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për atë procesverbal, ta hedhë në koshin e plehrave seancën dhe procesverbalin.Ai do mbetet në arkivat e këtij shteti si procesverbali më i turpshëm në të gjithë historinë e tij.
Dhe ky turp do mbulojë ata të cilët zhvilluan një seancë si ajo, e pashembullt dhe e bënë atë vetëm e vetëm për të fshehur, për të maskuar Erionë Veliaj.
Nuk mund t’ia bëje vendit tënd këtë kurrë. Po citoj Kushtetutën këtu. Por ti nuk mund t’ia bëje vendit tënd atë kurrë, pse një grup të papërgjegjshmish, që kanë turp dhe frikë nga vetja e tyre, nga rrezja e dritës dhe transparencës, kërkojnë të kalojnë pa transparencë, pa votim, pa asgjë.
Ti shënove rekordin më të zi në historinë e parlamentarizmit shqiptar, në historinë e Europës, në historinë e botës, të çdo regjimi.
Ndaj dhe rikthe seancën, të zhvillohet seanca. Të mos e kthejë Gjykata Kushtetuese, por ta kthejë parlamenti dhe të bëhen zhvillimet. Ata që kanë frikë nga vetja e tyre, ata t’ia mbathin, le të ikin.
Kanë frikë të dalin para qytetarëve për mëkatet e tyre, për vjedhjet që kanë bërë. Nuk është përgjegjësia jonë kjo, është e atyre.