
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim, babë e bir, të dyshuar për një plagosje me thikë të ndodhur disa javë më parë në qytet.
Në pranga u vunë shtetasit, Viktor Dakaj, 43 vjeç, banues në fshatin Grudë, i dyshuar për veprën penale “Shtytja e të miturve në kryerjen e veprave penale” dhe djali i tij 16 vjeç, banues në të njëjtin fshat, i akuzuar për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, u sekuestrua një thikë, që dyshohet se është përdorur në plagosjen e ndodhur më datë 20 korrik 2025, në sheshin “Prek Cali”, ku një konflikt për motive të dobëta mes këtyre personave dhe shtetasit P. G., 33 vjeç, përfundoi me plagosjen e këtij të fundit.
Sipas Policisë, gjatë përplasjes, 16-vjeçari në bashkëpunim me vëllain e tij 14-vjeçar, ka goditur me thikë shtetasin 33-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Njoftimi i policise
Kapen dhe ndalohen 2 shtetas (babë e bir) të shpallur në kërkim për një plagosje të kryer disa javë më parë.
Gjendet në banesën e tyre dhe sekuestrohet thika që dyshohet se është përdorur për plagosjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i kontrolleve intensive, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit:
-V. D., 43 vjeç, banues në fshatin Grudë, për veprën penale “Shtytja e të miturve në krim”;
-djalin e tij 16 vjeç, banues në fshatin Grudë, për veprat penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 20.07.2025, në sheshin “Prek Cali”, janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me shtetasin P. G., 33 vjeç, dhe gjatë konfliktit, 16-vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij 14 vjeç, ka goditur me thikë 33-vjeçarin.
Veprimet procedurale për 16-vjeçarin dhe për 14-vjeçarin (pa përgjegjësi penale për shkak të moshës) janë kryer duke respektuar Kodin e Drejtësisë për të Mitur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.