
Denoncime të reja të mbërritura në redaksinë e “Lajmifundit.al” sugjerojnë se kreditë me dokumente të falsifikuara kanë qenë një praktikë e ndodhur shpesh në Raiffeisen Bank. Pas rasteve në Lezhë dhe Vlorë, të denoncuara më herët, episodi i ri lidhet me qytetaren nga Laci, me iniciale Xh.Xh.
Ajo është nga ato raste të rralla, kur jo vetëm ka nxjerrë bllof bankën për pranimin e dokumenteve false në një dosje kredie, por ka arritur të marrë edhe dëmshpërblim për dëmin që i është shkaktuar nga banka me ecejaket për ti marrë fillimisht paratë e më pas edhe banesën, për një kredi të marrë në fakt nga ish burri i saj.
Cfarë ka ndodhur konkretisht?
Qytetarja me iniciale Xh.Xh (dokumenti që disponojmë ka identitetin e plotë) është divorcuar nga bashkëshorti, me vendimin gjyqësor nr. 470, datë 15.12.2006 ku nga Gjykata është zgjidhur martesa ligjore ndërmjet saj dhe ish bashkëshortit.
Por një vit më vonë, në datën 29.07.2007 rezulton se ish burri, ka nënshkruar një kontratë kredie ndërmjet palës së paditur shoqëria Raiffaisen Bank sha në cilësinë e kredidhënësit dhe shtetasve R. O. (ish bashkëshorti i të dëmtuarës) në cilësinë e kredimmarrësit dhe vetë denoncueses Xh.Xh ( e njour edhe me mbiemrin O….) në cilësinë e bashkredimarrësit, për shumën prej 900.000 (nëntëqind mijë) lekë.
Pra një vit pasi bashkëshortët ishin ndarë me vendim gjykate, Raiffeisen Bank nënshkruan kontratë kredie me shtetasin R.O, ish burrin e shtetases Xh.XH duke futur edhe këtë të fundit në detyrimin e kredimarrëses dhe garantores së kredisë nëse ish bashkëshorti nuk paguante këstet.
Dhe kështu ka ndodhur. Tri vite më pas, me shkresën nr. 595, datë 14.09.2010 Raiffeisen Bank ka njoftuar shtetasen Xh.Xh mbi detyrimin e rrjedhur nga kjo kontratë.
Natyrshëm, qytetarja është shprehur se nuk ka dijeni për ekzistencën e kësaj kontrate pasi me vendimin gjyqësor nr. 470, datë 15.12.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor është zgjidhur martesa ligjore ndërmjet saj dhe ish bashkëshortit.
Por Raiffeisen Bank nuk është tërhequr dhe ka vijuar ekzekutimin e kësaj kontrate, duke detyruar qytetaren që të depozitojë kallzim penal në Prokurori.
Pas nisjes së hetimeve për falsifikim dokumentesh, me shkresën nr. 1829 prot, datë 01.03.2011 Raiffeisen Bank e ka njoftuar qytetaren se nuk kishte asnjë detyrim ndaj bankës duke i kërkuar ndjesë për shqetësimin.
Por ndryshe nga sa banka shkruante në këtë dokument, në datën 13.06.2012 qytetarja është njoftuar për rifillimin e ekzekutimit të kontratës së kredisë.
Pra Raiffeisen Bank fillimisht me dokument i ka kërkuar falje gruas dhe i ka bërë me dije se ndaj tyre nuk kishte asnjë detyrim, por një vit më vonë, ka nisur sërish ti kërkojë paratë e kredisë së marrë nga ish bashkëshorti i cili kishte përdorur dokumente false për ta përfshirë ish gruan në kredimarrje në një dosje të pranuar nga Raiffeisen Bank.