Tërmet i fortë në Afganistan/ Mbi 600 TË VDEKUR e mijëra nën rrënoja

1
termet-i-forte-ne-afganistan/-mbi-600-te-vdekur-e-mijera-nen-rrenoja
Tërmet i fortë në Afganistan/ Mbi 600 TË VDEKUR e mijëra nën rrënoja

Mbi 620 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 1.500 të tjerë u plagosën nga një tërmet që goditi Afganistanin lindor, njoftuan autoritetet të hënën. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave.

Sipas raportimeve të para, vetëm në një fshat janë gjetur 30 viktima, por shifrat e sakta nuk janë mbledhur ende, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë.

“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren”, tha zëdhënësi i Ministrisë talibane të Shëndetësisë, Sharafat Zaman.

Sipas raporteve, tre fshatra u shkatërruan plotësisht në provincën Kunar, ndërsa shumë të tjerë pësuan dëme të konsiderueshme. Tërmeti me magnitudë 6 ra në mesnatë, në një thellësi prej 10 kilometrash, duke shkatërruar shtëpitë prej balte dhe guri në kufi me rajonin Khiber Paktunkva të Pakistanit, bënë të ditur zyrtarët.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët bëri thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare. Në një postim në X, ajo tha se tërmeti ka shkaktuar “humbje jetësh dhe dëme materiale në disa provinca lindore”.

Rajoni i goditur nga tërmeti ishte ende duke u përballur me pasojat e përmbytjeve që ndodhën në fundjavë. Përmbytjet përfshinë provincat Nangarhar dhe Kunar, duke shkaktuar vdekjen e së paku pesë personave. Ato shkaktuan rrëshqitje dheu, dëmtuan infrastrukturën dhe përkohësisht bllokuan qarkullimin mes Pakistanit dhe Afganistanit./REL