Më sytë nga SPAK dhe me bindjen se do të jetë në Parlament edhe pse nuk fitoi mandatin e deputetit, Myslim Murrizi paralajmëron zhvillime te forta në vjeshtë, që do shkaktojnë tërmet në listën e Partisë Demokratike për Tiranën.
Në prag të legjislaturës se re, kandidati i listës së hapur provokoi kolegët e zgjedhur deputet ne kryeqytet, të cilët kanë llogari te hapura me drejtësinë.
“Nuk ua heq unë mandatin, E dinë vetë ata. Ata që janë në proces gjyqësor dhe ata qe janë në proces hetimor. Nuk uroj askënd që të jenë në burg por zullumet qe kanë bërë do i paguajnë vetë. Kam thënë ne shtator qe do jem në Parlament, por nuk kam dhëne vit mund të jetë dhe shtatori i 2026. Por e sigurte do jem atje.”
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, në një intervistë televizive nuk i kurseu kritikat për aksionin opozitar pas humbjes se zgjedhjeve, duke akuzuar të vetët për opozitë selektive.
“Jam i indinjuar shpirtërisht për opozitën selektive dhe për heshtjen prej vitesh ndaj aferës me te madhe te shekullit që është Bankers, u ka vjedhur shqiptarëve në 21 vite, 15 miliard euro pasuri nëntokësore. Je opozitar ti por, merr ca tendera këtej, merr dhe ca lek për dorovitje dhe bën avokatinë e tyre. Siç kam reaguar për Komisionin Hetimor të Albana Vokshit për koncesionet e shëndetësisë. Ka harruar Janis Karathano të koncesionit të laboratorëve 130 milion euro dhe Klod Allajbeun e dializës me 100 milion euro.”
Jo vetëm demokratët, Myslim Murrizi akuzon edhe të majtët se kanë mbyllur sytë për aktivitetin e Bankers në Shqipëri duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj të dyja kahëve të politikës.
“Mua më ka bërë përshtypje lidhja e politikës me aferën Bankers Ajo që më ka tërhequr vëmendjen është dorovitja ashiqare e tre studiove ligjore të cilat kanë marre 13. 5 milion euro, nga 2019 deri me sot. Reagimi im është pse këtë cështje dhe vjedhje te shekullit, pasi asnjë afere ska 15 miliard euro, nuk e merr SPAK. Dhe për faktin se janë dy apo tre subjekte te SPAK te trazuar me këtë aferë tre ish deputet dhe dy ish ministra. “
Në pritje të suprizave të shtatorit, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD paralajmëron një pranverë akoma me interesante për demokratët. Nëse Berisha vendos të hapë garën për kryetar, Murrizi pritet të jetë sfidanti i parë, ndonëse do preferonte që doktori të qëndronte larg zgjedhjeve.
“Nëse Berisha nuk do jete kandidat dhe nuk do trazoje me absolutisht do jem në gare për kryetar partie. Si ish student dhjetori, si njeri që nuk vi nga komunizmi në PD, si njeri që skam asnjë lek nga paratë publike ne xhepin tim dhe që nuk jam opozitar selektiv. Pse jo edhe me Berishën, pse jo po ua them. Unë nuk e di që kjo është parti private e një njeriu“.