Shqipëria po përballet me një situatë kritike me zjarret gjatë muajve të fundit, teksa shumica e vatrave janë të shkaktuara qëllimisht nga dora e njeriut.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamjet e kapura me dron, ku shihet një zjarrvënie e qëllimshme. Rama e cilëson këtë akt jo vetëm si krim, por edhe si tradhti ndaj tokës sonë.
Sipas kryeministrit, zjarrvënia e qëllimshme duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal.
“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë Ja dhe pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore. Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal.”– shkruan Rama.