Trafik armësh me autobus drejt Italisë, arrestohet koka e grupit kriminal në Lezhë, në pranga edhe 2 shoferët

1
trafik-armesh-me-autobus-drejt-italise,-arrestohet-koka-e-grupit-kriminal-ne-lezhe,-ne-pranga-edhe-2-shoferet
Trafik armësh me autobus drejt Italisë, arrestohet koka e grupit kriminal në Lezhë, në pranga edhe 2 shoferët

Kreu i një organizate kriminale të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe Italisë është arrestuar nga Policia e Lezhës këtë fundjavë, në bashkëpunim edhe me Guardia di Financën dhe zyrën e ekspertit në Ambasadën Italiane në Tiranë. 30-vjeçari Françesk Mecaj, nga Malësia e Madhe, me precedent penal të theksuar në Milano të Italisë dhe i dënuar dy herë si kreu i grupit në Lecco për armë dhe trafik droge, u arrestua si rezultat i operacionit të koduar “Dërgesa”. Në pranga ranë edhe dy persona të tjerë, drejtues të mikrobusit për transport udhëtarësh Shqipëri-Itali, në bagazhet e të cilit u gjet armatimi. Ai akuzohet se kishte dërguar 5 armë zjarri dhe municion drejt vendit fqinj. “30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit. Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak. Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh”, njoftoi policia.

Detajet

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga të dyshuarit E. M. dhe A. D. “Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar. Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme”, vijoi policia. Materialet procedurale ndaj Mecajt i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.

Nga ana tjetër, një 25-vjeçar autor i disa vjedhjve në lokale, restorante e agjenci udhëtimi ka rënë në prangat e policisë së Lezhës. I riu është identifikuar si Françesko Doçi banues në Laç. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe një 26-vjeçar i dyshuar si bashkëpunëtor i 25-vjeçarit.Gjatë kontrollit të kryer uniformat blu i gjetën dhe i sekuestruan Françesko Doçit edhe një sasi lënde kokainë. “Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Door”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë. Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u arrestua shtetasi në kërkim: F. D., 25 vjeç, banues në Laç, Kurbin. Ky shtetas dyshohet për një sërë vjedhjesh në lokale, restorante, agjenci udhëtimi e marketingu.

Gjatë kontrollit fizik, 25-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. D. është autor i: disa vjedhjeve me thyerje të automjeteve dhe banesave; tentativave për vjedhje në lokale në lagjet dhe zonat përreth Lezhës; disa vjedhjeve në bar-lokale, restorante, agjenci udhëtimi dhe supermarkete në zonën e Laçit. Vijon puna për kapjen e shtetasit: M. D., 26 vjeç, banues në Kurbin, i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor në këto vepra penale. Gjithashtu, po punohet për dokumentimin e veprave të tjera penale të dyshuara të kryera nga këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

after content