Trafiku i kokainës nga Amerika Latine, si silleshin në Shqipëri me autobus “thasët me euro” të klanit Copja

3
trafiku-i-kokaines-nga-amerika-latine,-si-silleshin-ne-shqiperi-me-autobus-“thaset-me-euro”-te-klanit-copja
Trafiku i kokainës nga Amerika Latine, si silleshin në Shqipëri me autobus “thasët me euro” të klanit Copja

Hetimet e SPAK kanë zbuluar mekanizmin financiar të një prej organizatave më të fuqishme shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës, me lidhje të drejtpërdrejta nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas SPAK, rrjeti kriminal i drejtuar nga Elvis Çela dhe Franc Çopja kishte ngritur një sistem të sofistikuar për të futur qindra milionë euro në Shqipëri, duke shmangur çdo gjurmim financiar. Dy ishin metodat kryesore: transporti fizik i parave “cash” dhe përdorimi i sistemit informal të transfertave “hawala”.

Në rastin e parë, paratë e përfituara nga trafiku kalonin fshehurazi nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë përmes shoferëve shqiptarë të linjave ndërkombëtare të pasagjerëve.

Të përzgjedhur me kujdes dhe në numër të kufizuar, këta shoferë përfitonin rreth 2% të shumës si shpërblim për shërbimin dhe rrezikun. Kjo mënyrë siguronte shmangien e sistemit bankar, evitimin e kontrolleve doganore dhe ruajtjen e anonimatit.

Paralelisht, organizata përdorte rrjetin “hawala”, ku shumat e mëdha kalonin nga një vend në tjetrin përmes ndërmjetësve pa asnjë gjurmë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, një qendër strategjike për pastrimin e parave falë kontrollit të ulët financiar.

Kombinimi i këtyre metodave i garantonte grupit një qarkullim të pandërprerë kapitali në nivel ndërkombëtar, duke minimizuar rrezikun e sekuestrimit dhe duke siguruar vijimësinë e aktivitetit kriminal.

Pjesë nga njoftimi i SPAK:

Qarkullimi dhe menaxhimi i parave

Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo mënyrë kishte disa përparësi për grupin:

Evitimi i gjurmimit bankar dhe i detyrimit ligjor për deklarimin e burimit të fondeve;

Shmangia e kontrolleve doganore zyrtare, duke përdorur rrugë të shkurtra dhe pikat kufitare më pak të monitoruara;
Siguria përmes rrjetit të besuar të shoferëve, numri i të cilëve ishte i kufizuar dhe i përzgjedhur në bazë të një marrëdhënieje të ndërtuar mbi besimin reciprok.

Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.

after content