Të premten në mëngjes ka ndodhur një tragjedi përgjatë lumit Sassandra, në qytetin Buyo të jugperëndimit të Bregut të Fildishtë, kur një hipopotam sulmoi një varkë të mbushur me pasagjerë, duke e përmbysur atë dhe duke lënë pas 11 persona të zhdukur, përfshirë fëmijë dhe një foshnje.
Mediat e huaja shkruajnë se në bordin e varkës ndodheshin gjithsej 14 persona, por vetëm tre prej tyre arritën të mbijetojnë. Të tjerët mbeten të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë intensivisht.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 500 hipopotamë jetojnë aktualisht në Bregun e Fildishtë, kryesisht përgjatë lumenjve të jugut të vendit. Këto kafshë të mëdha, që mund të peshojnë deri në 3,200 kilogramë, konsiderohen si më të rrezikshmet në vend sa i përket sulmeve fatale ndaj njerëzve.
Një studim i vitit 2022 theksonte se hipopotamët janë shkaktari kryesor i vdekjeve dhe lëndimeve të shkaktuara nga kafshët në rajon.
Ngjarja tragjike në Buyo risjell në kujtesë një tjetër incident të ngjashëm që ndodhi në maj të vitit 2023 në Malaui, ku një fëmijë humbi jetën dhe mbi 20 banorë të një fshati u zhdukën, pasi edhe aty një hipopotam përmbysi një varkë.