Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Prishtinë. Raportohet se një 31-vjeçar ka humbur jetën në rajonin e Gollakut.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka bërë me dije se i riu ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra nga një trung druri.
Mësohet se një trung e ka zënë poshtë të riun rreth orës 17:00. Viktima mori plagë të shumta dhe nuk arriti të mbijetonte. Ai ka ndërruar jetë në spital ku edhe u konstatua vdekja e tij.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 17:00, policia ka pranuar një informatë për një person të lënduar rëndë (dyshohet si pasojë e rënies së një trungu druri). Personi i lënduar L. G, mashkull, 31 vjeç, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Pllana.