Tuna flet për herë të parë për ndarjen nga Patrisi: Unë nuk isha më e lumtur në atë martesë

7

Këngëtarja e njohur nga Shkupi, Altuna Sejdi – e njohur për publikun si Tuna – është rikthyer në vëmendje me një intervistë të rrallë, duke rrëfyer për herë të parë pas një periudhe të gjatë shumë detaje nga jeta dhe karriera e saj.

Tuna ishte e ftuar në emisionin “The Dalina Show”, ku përballë gazetares Dalina Buzi, ajo foli hapur për fazat e vështira që ka kaluar, përfshirë edhe ndarjen nga ish-partneri i saj, muzikanti Patris Berisha, me të cilin ka dy fëmijë: Tianin dhe Zenin.

“Ne nuk kishim nga ato dramat që të ketë ndonjë arsye konkrete për ndarje,” – u shpreh Tuna. “Thjesht ishin shumë të akumuluara gjërat, jo vetëm të shtatzënisë, por edhe më herët”.

Në një moment rrëqethës të intervistës, ajo rrëfeu se gjatë shtatzënisë me djalin e dytë, Zenin, kishte mbajtur gjithçka të fshehtë – madje deri në muajin e nëntë.

“Askund nuk jam pishman. Për mua, një nënë duhet të jetë e lumtur para së gjithash – që t’i rrisë fëmijët e lumtur. Dhe unë nuk isha më e lumtur në atë martesë,” tha këngëtarja me sinqeritet. “Më ka dhembur deri në atë pikë, sa që kur isha shtatzënë me Zenin në spital, e kam mbajtur të fshehtë deri në muajin e nëntë. Pse duhej ta fshihja? Deri sa erdhi një moment dhe thashë: ‘Nuk më intereson më.’”

Kjo intervistë shënon një kthesë të re në komunikimin e Tunës me publikun, duke reflektuar jo vetëm maturi emocionale, por edhe një dëshirë për të ndarë përvojat personale në funksion të forcimit dhe frymëzimit të grave dhe nënave që përballen me sfida të ngjashme. /Telegrafi