“U qëllua nga afër me 8 plumba”, gazetari tregon si e vranë 34-vjeçarin në Shkodër (Video)

1
“u-qellua-nga-afer-me-8-plumba”,-gazetari-tregon-si-e-vrane-34-vjecarin-ne-shkoder-(video)
“U qëllua nga afër me 8 plumba”, gazetari tregon si e vranë 34-vjeçarin në Shkodër (Video)

I ftuar në një lidhje direkte në Euronews Albania, gazetari Igli Çelmeta foli në lidhje me vrasjen e të riut Kristjan Kola në Shkodër.

Gazetari Çelmeta solli detaje nga momentet e vrasjes, duke theksuar se autorë të dyshuar janë dy persona që udhëtonin me motor dhe mbanin skafandra.

Ai tha se njëri prej tyre ka qëlluar, ndërsa tjetri ka drejtuar motorin ndërsa po sipas Çelmetës, vrasja dyshohet të jetë atentat me pagesë, i kryer për llogari të pjesëtarëve të një grupi kriminal.

Përveç dy personave të përfshirë drejtpërdrejt në atentat, gazetari theksoi se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, të cilët kanë ndjekur dhe survejuar lëvizjet e viktimës ditët e fundit.

“Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës. Kristjan Kola ka qenë në shoqërinë e një personi tjetër duke konsumuar kafe në katin e parë të një hoteli. Në momentin që ka dalë jashtë, një person i është afruar dhe e ka ekzekutuar me armë zjarri. Dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, që lëviznin me motor. Ata kanë pritur që Kola të dalë nga bar-kafeneja e hotelit, dhe më pas njëri prej tyre ka qëlluar”, tha Çelmeta.

“Në vendin ku ka ndodhur ngjarja ndodhej i parkuar një autobus me turistë që sapo kishin zbritur për të vizituar qytetin. Ka dyshime se në vrasje janë përfshirë më shumë persona, jo vetëm autorët e atentatit, por edhe individë të tjerë që mund të kenë ndihmuar në survejimin e viktimës edhe ditë më parë. Mendohet se kjo vrasje është porositur nga persona të tretë dhe më pas është kryer nga autorët me pagesë. Në zonë ka një numër të madh kamerash sigurie, të cilat po verifikohen nga grupi hetimor”.

Sa i përket momentin të vrasjes gazetari tha se 34-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt me tetë plumba.

“Nuk është konfirmuar nëse është përdorur armë me silenciator, pasi dëshmitë janë kontradiktore: disa dëshmitarë thonë se nuk kanë dëgjuar të shtëna, ndërsa të tjerë flasin për të shtëna të mbytura. Nuk ka dyshime për ndonjë ngatërrim të shënjestrës. Grupi hetimor beson se 34-vjeçari ka qenë objektivi i atentatit. Lidhur me armën e përdorur, ende nuk ka të dhëna, ndërsa motori që u përdor në ngjarje rezulton me targa të vjedhura”, tha gazetari.

Gazetari tha se dhe hetuesit kanë dyshime të forta se ky krim është kryer nga vrasës me pagesë, pasi ka ngjashmëri me atentate të tjera në vendin tonë.

“Sipas mendimit tim, bëhet fjalë për një krim të sofistikuar dhe të organizuar nga një grup kriminal, që është marrë përsipër nga persona të tretë kundrejt pagesës”, tha Çelmeta.