Udhëheqësi Ram fillon pushimet

1
udheheqesi-ram-fillon-pushimet
Udhëheqësi Ram fillon pushimet

Ilir DAKO

Udhëheqësi Ram u nis me pushime në bregdetin e Jonit pasi anulloi 2 retreate dhe çoi ministrat e tij me pushime. Nga makina e tij luksoze vendosi të ekspozojë syzet e kuqe dhe bëri një lidhje direkte me popullin e tij besnik dhe të magjepsur pas tij. Pasi pyeti Fetahun se si dukej me modelin e ri të syzeve dhe mori miratimin e tij, Udhëheqësi Ram u faneps para shqiptarëve ashtu rrezëllitës siç mund të jetë vetëm ai. Me gjithë nurin që i kishte rënë nga syzet alla-Genci, fjalët e tij vinin në formë sokëllime të një figure hyjnore. Do i shkatërroj, do i prish, do i fus në burg, do i masakroj, nuk mbaronin mirësitë që do ndodhnin gjatë diskursit me patronazhistët dhe hallexhinjtë që prisnin ndonjë haber se çdo ndodhte me qeverinë e tij.

Qeverisja iku me pushime. Bella pasi rrujti bizneset me tarifat e saj 25 deri 30 përqind u nis me pushime në një nga resortet më luksoze të botës. Edhe pse i janë futur në burg nja 7 a 8 drejtorë të saj për korrupsion masiv, dyshi i Ramës iku me një ndjenjë lehtësimi, pasi udhëheqësi i kishte dhënë mesazh pozitiv që, derisa të derdhte në kasafortën e tij paratë e tenderëve që fitonte do qëndronte si zonjë në postin aktual. Nuk pjerdh as për spak e as për kërkënd . Para Bela Ballukes udhëheqësi nuk vë asnjë.

Pas Belës ministrja tjetër e lehtësuar iku Lela. Ajo i futi një reagim në një media italiane, lëshoi flluska me rekord turistësh dhe e vuri në gjumë dafinash liderin Ram. Pas Belës, Lela u zhduk diku nga resortet e jugut për të qene afër udhëheqësit në vilat e saj miliona euro.

Një tjetër ministër që iku i lumtur ishte Titi i Malajve, që pasi doli triumfues me Iglin e Hasanajve në duelin me grushta në kryeministri, vazhdoi turin e tij turistik, i pashqetësuar pasi Bela i ngriti krahun e fitores në fund të matchit me Iglin e Hasanajve.

Pjesa tjetër e dishepujve të tij janë nisur me pushime të lehtësuar pasi udhëheqësi Ram nuk jua ndërpreu udhën e tyre ministrore . Bledi, Gerta, Pirroja, Nila, Arbi dhe gjithë struktura e lakejve të udhëheqësit janë nisur në grup me pushime nëpër resortet dhe vilat e tyre luksoze të blera me djersën e ballit nga puna e lodhshme me qeverisjen e halleve të popullit.

Udhëheqësi e shtyu udhën deri në Dhërmi duke bërë “llogje kavaje” me grigjën e bindur që dëgjonte gojëhapur thagmat e hyjnisë, mesisë që perëndia jua dha dhuratë.

Pasi mbylli komunikimin me viktimat e tij, udhëheqësit i vjen një zile. Duart ju drodhën dhe ndjeu një tik nervor.

Ishte ai, Lali.

Ndërsa shikonte celularin që bënte ring, me duart që i dridheshin dhe me dilemën për tu përgjigjur apo jo, më në fund e hapi. Nga krahu tjetër erdhi një zë i përvuajtur.

-O lal si më le në baltë, si më fute në gropë me një letër të Nestit.

-Po jo mor burrë unë të kam shpirt, si të të shes unë ty kur ti më ke shërbyer pafundësisht, mi ke mbajt në pëllëmbë të dorës të gjithë, Fushën, Salillarin, Abulen, Zamon, Gentin e sulajve-, ju përgjigj me një frymë udhëheqësi.

-O lal më kanë bërë kolonoskopi jam keq-, u ndje zëri qaraman i Erit nga krahu tjetër dhe nga telefoni vinte një ngashërim i thellë që e fiku udhëheqësin, i cili i mbylli telefonin dhe mërmëriti me vete:

– C’më çau trapin-, duke i rënë me shuplakë aparatit me një nervozizëm të pashoq, dhe mori menjëherë Uluson e Drejtësisë, të cilit i dha urdhër ti bënte një tjeter kontroll për celular Lalit në burgun e Durrësit.

Post partum

Pasi mbërriti në vilën qeveritare të Dhërmiut, udhëheqësi u ul nën freskun e kondicionerit dhe lajmëroi Julin e Moyos ti përgatiste një tavolinë për në darkë dhe i dërgoi haber Gysit të Pojave ti sillte një arkë me verë nga ato njëqind mijë euro. Më pas u shtri në divanin e hollit dhe thirri misionaren Lindë të raportonte për të ardhurat që kishin derdhur ministrat, drejtorët dhe kryebashkiakët e tij. Misionarja e qetësuar pas një largimi disa ditor nga shtëpia, nga frika se mos e shkarkonte dhe atë nga puna, u paraqit e buzëqeshur pranë udhëheqësit duke i folur me zë miklues për shifra miliona euro të fitimit javor.

Udhëheqësi Ram, pasi pa se të ardhurat kishin rënë, shfryu i pakënaqur duke akuzuar vartësit e tij që kishin filluar ta vjedhin.

-Këta pisa në shtator do ti qëroj të gjithë-, tha gjithë mllef.

Fitime të mbara udhëheqës.
Në fakt jo.

after content