Udhëzimi i ri/ Filtër i rreptë për industrinë e kanabisit! Jo më leje për persona të hetuar, të dënuar, apo në lidhje me krimin! Asnjë përdorues i drogës s’do të punojë në këtë sektor

7
udhezimi-i-ri/-filter-i-rrepte-per-industrine-e-kanabisit!-jo-me-leje-per-persona-te-hetuar,-te-denuar,-apo-ne-lidhje-me-krimin!-asnje-perdorues-i-droges-s’do-te-punoje-ne-kete-sektor
Udhëzimi i ri/ Filtër i rreptë për industrinë e kanabisit! Jo më leje për persona të hetuar, të dënuar, apo në lidhje me krimin! Asnjë përdorues i drogës s’do të punojë në këtë sektor

Industria e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale po përballet me kontrolle më të rrepta, pas miratimit të Udhëzimit nr. 122, datë 23.7.2025, i cili sjell një sërë ndryshimesh dhe shtesash në udhëzimin bazë nr. 274, datë 16.5.2024.

Ky dokument shtrëngon dukshëm kriteret për përfshirjen në këtë sektor, duke forcuar filtrin ligjor, etik dhe profesional për të gjithë aktorët e përfshirë. Nga tani e tutje, verifikimit të pastërtisë së figurës nuk do t’i nënshtrohen vetëm administratorët apo pronarët, por edhe ortakët, aksionarët, anëtarët e bordeve drejtuese, drejtuesit teknikë dhe çdo punonjës i subjekteve të licencuara apo të lejuara.

Lista përfshin edhe punonjësit që kryejnë proceset bazike të punës, të cilët deri tani nuk përfshiheshin në kontrolle, për shkak se nuk kërkohej kualifikim i veçantë për pozicionin e tyre. Sipas ndryshimeve, procesi i verifikimit bëhet i detyrueshëm jo vetëm në fazën e licencimit, por edhe periodikisht ose sa herë që Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it gjykon se ka indicie për shkelje të kritereve. Çdo person objekt i këtij verifikimi duhet të japë pëlqimin me shkrim për përpunimin e të dhënave personale, të dorëzojë dokumentacionin përkatës dhe të kryejë testin e drogës. Ky test, që përfshin edhe kontrollin për përdorim të kanabisit, realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa për shtetasit e huaj me rezidencë jashtë vendit, testi mund të kryhet në një institucion homolog, sipas rregullave të përcaktuara nga Agjencia.

Udhëzimi i ri ndalon qartë përfshirjen në këtë sektor të çdo personi që është në hetim apo është dënuar për vepra penale të lidhura me narkotikët, pastrimin e parave, terrorizmin, armët e shkatërrimit në masë apo krimin e organizuar. Po ashtu, ndalohet licencimi i personave që kanë pasur kontakte të papërshtatshme me elementë kriminalë në pesë vitet e fundit, si dhe i atyre që kanë përdorues të drogës në certifikatën familjare. Personat në listat ndërkombëtare të shpallura për terrorizëm apo financim të tij përjashtohen automatikisht nga mundësia për të marrë pjesë në këtë industri.

Përveç kritereve ligjore, shtohen edhe standardet etike dhe profesionale. Çdo individ duhet të deklarojë angazhimet e tij të tjera që mund të përbëjnë konflikt interesi, të mos ketë masa disiplinore në fuqi dhe të paraqesë referenca pune nga punëdhënësit e 7 viteve të fundit. Në rastet e punësimit jashtë vendit, kërkohet letër reference dhe dokumentacion i përkthyer, i noterizuar dhe me vulë apostile.

Administratorët dhe drejtuesit teknikë duhet të kenë minimalisht diplomë master shkencor dhe pesë vite eksperiencë, nga të cilat të paktën një vit në pozicion drejtues apo menaxhues. Dokumentacioni i kërkuar përfshin formularë vetëdeklarimi, vërtetime nga SPAK dhe autoritete të tjera, dokumente identiteti, referenca profesionale dhe vërtetime nga institucionet e huaja, sipas rastit.

Nëse gjatë verifikimit zbulohet se një person nuk përmbush kriteret, kërkesa për licencë ose leje refuzohet automatikisht. Në rast se problematika konstatohet gjatë ushtrimit të aktivitetit, Agjencia ka të drejtë të propozojë shfuqizimin e licencës apo lejes. Ky udhëzim është një ndër përpjekjet për të mbajtur të pastër këtë sektor delikat, duke përjashtuar të gjitha elementët me lidhje me krimin, pastrimin e parave apo përdorimin e substancave narkotike. Ai hyri në fuqi dje, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tij i është ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it.

Screenshot_1

/Gazeta Panorama 

after content