
Një incident i rëndë është shënuar sot rreth orës 15:00 në qytetin e Podujevës, konkretisht në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku një person ka pësuar lëndime serioze si pasojë e një sulmi me thikë. Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin për këtë akt.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë me dije se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet përkatëse dhe se hetimet kanë filluar në koordinim me Prokurorinë.
“Sot rreth orës 15:00, kemi pranuar informacionin për një lëndim trupor të shkaktuar nga një mjet i mprehtë në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Një person është lënduar dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar nga njësitet policore. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti,” ka deklaruar Ahmeti.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës së mesme ekonomike “Isa Boletini”, ku i plagosuri ka marrë ndihmën e parë dhe më pas është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë me dije se gjendja shëndetësore e viktimës është e rënduar dhe jo stabile.
“Pacienti është sjellë nga Podujeva me plagë të shkaktuara nga një mjet i ftohtë. Janë realizuar të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe ai është dërguar menjëherë në sallën e operacionit. Në ndërhyrje janë përfshirë ekipet e anestezionit, kirurgjisë abdominale dhe asaj torakale. Gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë dhe jo stabile,” ka deklaruar Syla.
Autoritetet janë duke e trajtuar rastin me seriozitet të lartë dhe pritet të publikohen më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve fillestare.