
Një prej temave më të debatueshme dhe delikate në marrëdhëniet familjare – ajo mes nuses dhe vjehrrës – u trajtua së fundmi në emisionin “E Diell” në rubrikën “Trotuar”, ku e ftuar ishte modelja dhe personazhi i njohur publik, Xheneta Fetahu.
Gjatë një diskutimi të hapur e emocional, ajo ndau me publikun një përvojë personale mjaft të ndjeshme, që lidhet me fejesën e saj pesëvjeçare dhe sfidat që ajo ka hasur brenda familjes së ish-partnerit.
Fetahu rrëfeu se për pesë vite ishte e fejuar me një djalë, me të cilin kishte ndarë momente të rëndësishme të jetës, përfshirë edhe bashkëjetesën.
Sipas saj, gjatë sezonit veror, për shkak të punës, ata jetonin në të njëjtën shtëpi me familjen e të fejuarit, çka solli edhe afrimin me prindërit e tij.
Por, ndërsa me të atin e partnerit pati një marrëdhënie të ngrohtë dhe të respektueshme, e njëjta gjë nuk mund të thuhej për raportin me vjehrrën.
“Unë kam qenë e fejuar për pesë vite dhe kam jetuar me të dashurin tim. Gjatë verës jetonim bashkë me familjen e tij për shkak të punës. Me vjehrrin kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira.
Edhe tani që nuk jemi më bashkë, kur takohemi ruajmë kontakte shumë të mira.
Ai më ka dashur dhe më ka respektuar gjithmonë. Ndërsa me ish-partnerin nuk kemi më asnjë kontakt”, tha ajo me ton të qetë, por ndjeshmëri të dukshme.
Në kontrast të plotë me këtë marrëdhënie pozitive me vjehrrin, përjetimi me vjehrrën e saj ka qenë i vështirë, shpesh i mbushur me tension, mosmarrëveshje dhe xhelozi.
Xheneta tregoi se vjehrra nuk e pranonte lehtësisht lidhjen mes të birit dhe saj, duke e parë me dyshim dhe nganjëherë me paragjykim, si një konkurrencë për dashurinë dhe vëmendjen e të birit.
“Ajo nuk e konceptonte dot që dashuria për nënën dhe dashuria për partneren janë ndjenja të ndryshme dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Ishte shumë e lidhur me djalin e saj, pasi ai ishte fëmija i vetëm, dhe kjo e bënte situatën më të vështirë. Unë ndihesha sikur çdo veprim im ishte nën vëzhgim, çdo fjalë e imja keqinterpretohej.
Ajo bëhej xheloze për gjënë më të vogël, qoftë edhe kur i qeshja djalit të saj apo kur ai më tregonte vëmendje”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se, përkundër vështirësive të shumta, partneri i saj nuk arriti asnjëherë të ndërmerrte një qëndrim të qartë për ta mbrojtur apo për të vendosur kufij mes nënës dhe të fejuarës. “Ai nuk ka folur kurrë me të.
Asnjëherë nuk pati guximin të përballej me nënën e tij për t’i treguar se unë isha një pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe se meritonim respekt të dyja.
Në vend të kësaj, gjithçka ia thoshim babait të tij, ish-vjehrrit tim, dhe ai më pas përpiqej të fliste me të shoqen. Por kjo nuk ishte zgjidhje.
Ishte vetëm një mënyrë për ta shtyrë problemin më tej.”
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përmendi Xheneta ishte prejardhja kulturore e familjes së ish-partnerit, që sipas saj, kishte një ndikim jo të vogël në mënyrën sesi e trajtonin lidhjen e djalit me një vajzë shqiptare.
“Ata nuk ishin shqiptarë, ishin nga Turqia, dhe kishte shumë paragjykime kulturore. Edhe kjo ndoshta ka ndikuar që të mos isha kurrë e pranuar plotësisht si pjesë e familjes.”
E pyetur nga moderatorët nëse kjo marrëdhënie e vështirë me vjehrrën ka qenë një nga faktorët kryesorë në prishjen e lidhjes me të fejuarin, Xheneta u përgjigj qartë: “Po, pak a shumë nga fundi, ka qenë edhe ajo një nga shkaktarët. Unë u ndjeva e vetmuar në atë lidhje.
Mërzitesha gjithmonë sepse ai nuk ndërhynte, dhe situata përkeqësohej dita-ditës. Në një marrëdhënie, nëse partneri nuk di të të mbrojë, gjithçka bie.”
Sot, edhe pse lidhja ka përfunduar, Xheneta shprehet se ka ende shumë respekt për ish-vjehrrin e saj, që sipas saj ka qenë një figurë pozitive dhe mbështetëse.
“Respekt shumë për ish-vjehrrin, sepse më ka dashur dhe më ka respektuar gjithmonë. Ai ishte një njeri me mendje të hapur dhe ka pasur një ndikim pozitiv në jetën time.”
Ky rrëfim i sinqertë dhe i guximshëm i Xhenetës ngre një pasqyrë reale të shumë marrëdhënieve në çift, ku ndonjëherë ndërhyrja apo mospranimi nga familja e partnerit mund të bëhet shkak për tensione serioze dhe, në raste të caktuara, edhe për prishje lidhjesh.
Ajo që mbetet e rëndësishme në çdo marrëdhënie është aftësia për komunikim, vendosmëria për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe respekti i ndërsjellë – vlera të cilat, në mungesë, lënë plagë të thella emocionale./ORAinfo/