
Autoritetet kanë zbardhur skenarin e atentatit të ndodhur në Shkodër, ku humbën jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë u plagosën.
Sipas hetimeve, autori i dyshuar ka ndjekur viktimat brenda lokalit dhe i ka qëlluar me armë. Më pas, ai ka dalë nga dera dytësore dhe ka ecur me armë në dorë për rreth 300 metra, nga rruga Don Bosko drejt pjesës së Perashit.
Atje, ai ka grabitur një automjet, duke i vënë armën në kokë drejtuesit të tij, dhe me skafandër në kokë, ka tentuar t’i ikë policisë. Pas një aksidenti në zonën e Sarreqit, ndjekja ka vijuar derisa policia e ka kapur poshtë shinateve të trenit, në shtratin e lumit Kir.
Nga atentati humbën jetën:
Armando Pali, punonjës i IMT-së
Liridon Kraja (“Lushi”)
Të plagosur mbetën:
Erogen Vaso (Brajoviç)
Meri Kaceri
Në pranga është vënë Rakip Gila, i dyshuar si autori i atentatit. Emri i tij është i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar për mbajtje pa leje të armëve dhe pajisjeve të përdorura nga grupet kriminale.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes “mafioze” që tronditi Shkodrën.