Zbardhet skema e ryshfetit/ Inspektorët i kërkuan pronarit të lokalit 1000 euro për të mos i prishur tendën! Paratë tentuan t’i fshihnin në një lokal, si ranë në kurthin e policisë

2
zbardhet-skema-e-ryshfetit/-inspektoret-i-kerkuan-pronarit-te-lokalit-1000-euro-per-te-mos-i-prishur-tenden!-parate-tentuan-t’i-fshihnin-ne-nje-lokal,-si-rane-ne-kurthin-e-policise
Zbardhet skema e ryshfetit/ Inspektorët i kërkuan pronarit të lokalit 1000 euro për të mos i prishur tendën! Paratë tentuan t’i fshihnin në një lokal, si ranë në kurthin e policisë

Zbulohen detaje të reja nga një rast korrupsioni që përfshin punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se rasti ka ndodhur në zonën e Kombinatit, ku katër inspektorë të IMT kanë konstatuar një tendë të ndërtuar pa leje pranë një objekti. Pas konstatimit dhe njoftimit për prishjen e saj, njëri nga inspektorët është rikthyer dhe i ka kërkuar pronarit të objektit 1 mijë euro në këmbim të mosprishjes së tendës.

Pronari ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka organizuar një operacion të kontrolluar për dokumentimin e korrupsionit. Uniformat blu i kanë dorëzuar pronarit paratë me numër serial të regjistruar, të cilat më pas janë dhënë punonjësve të IMT.

Sipas hetimeve, dy nga të dyshuarit, Geraldo Fuçia dhe Klajdi Zhilla, janë takuar më pas në një lokal, ku kanë tentuar të fshehin paratë. Fillimisht, gjatë kontrollit, policia gjeti një telefon dhe një shumë tjetër parash që nuk përputhej me ato me numër serial. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se paratë ishin dorëzuar banakierit të ambientit të jashtëm të lokalit.

Aktualisht në pranga është vënë vetëm Geraldo Fuqia, ndërsa Klajdi Zhilla është në kërkim. Dy punonjësit e IMT dyshohen për veprën penale të korrupsionit pasiv. Dy të tjerët, Edmond Cela dhe Niko Zmalaj janë liruar sepse nuk kanë rezultuar sipas pamjeve filmike të kenë marrë para.