Zjarret në vend, situata vazhdon kritike në bashkinë Finiq. Banorët e tre fshatrave u evakuan gjatë natës vullnetarisht

1
zjarret-ne-vend,-situata-vazhdon-kritike-ne-bashkine-finiq.-banoret-e-tre-fshatrave-u-evakuan-gjate-nates-vullnetarisht
Zjarret në vend, situata vazhdon kritike në bashkinë Finiq. Banorët e tre fshatrave u evakuan gjatë natës vullnetarisht

Shqipëria vijon të jetë e mbërthyer nga zjarret edhe këtë të shtunë, për shkak të temperaturave të larta që janë shfaqur sërish gjatë ditëve të fundit. Në të gjithë vendin janë 7 vatra aktive, gjatë 24 orëve të fundit.

Situatë alarmante zjarresh paraqitet në disa fshatra të Finiqit, pasi vatrat e zjarrit morën përmasa kritike, të favorizuara edhe nga era dhe kushtet atmosferike.

Pas orëve të ankthit në fshatrat Navaricë dhe Livinë, ku rreziku për banesat u shmang falë ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, situata mbetet e rëndë në zona të tjera të Bashkisë. Zjarri është zhvendosur me shpejtësi, duke rrethuar fshatrat Velahovë, Krongj dhe Dhrovjan, ku era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Shumë nga banorët po evakuohen vullnetarisht, teksa nëse era favorizon më tej, flakët mund të djegin edhe shtëpitë. Më herët flakët kishin përfshirë edhe Dhivrin.

Nga ajri po hedh ujë mbi zonën e banuar një helikopter. Flakët e zjarrit po favorizohen nga era e fortë. Kjo është dita e pestë e zjarrit në fshatrat e Finiqit.

Edhe në fshatin Lofkënd të Mallakastrës falë ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri mbetet aktiv vetëm në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Ditën e sotme vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit me mbështetjen e 25 efektivëve të FA dhe forcave të tjera nga strukturat e bashkisë.

Zjarri është aktiv edhe në fshatin Malaj të Epërm në Rrëshen në Bashkinë Mirditë. Flakët po djegin një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujëhedhëse. Gjatë ditës së djeshme në zonë u angazhuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Zjarrfikësit po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Ditën e sotme në mbështetje të forcave po operojnë edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në vendin e quajtur “Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë i Bashkisë së Klosit, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

Në fshatin Lleshaj të Gramshit, vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mosriaktivizime të mundshme.

Në Bërzhitë të Tiranës, zjarrfikësit vendosën nën kontroll vatrën e zjarrit dhe është drejt izolimit. Gjatë natës zona u mbajt në monitorim. Ditën e sotme në terren ka vijuar puna për shuarjen përfundimtarë.

Së fundmi, midis fshatrave Turan dhe Dukaj të Tepelenës po punohet nga forcat për shuarjen e zjarrit që ra një ditë më parë.

Pasditen e sotme u regjistrua një vatër zjarri e madhe në Bolenë të Himarës, që përfshiu pyllin me pisha dhe rrezikon banesat. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kërkuar mbështetje shtesë.

Kujtojmë se gjatë të premtes, në vendin tonë erdhën 2 avionë nga Suedia dhe 1 avion Canadair nga Kroacia që u aktivizuan përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve.

https://www.facebook.com/pirrovengu.al/posts/122172166166473314?ref=embed_post

after content