Zjarret shkrumbojnë një shtëpi, një magazinë dhe 1 hektar tokë brenda 24 orëve në Korçë, Maliq dhe Kolonjë

1

Zjarret kanë shkrumbuar një shtëpi, një magazinë dhe 1 hektar tokë përgjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Korçës, teksa shkaqet mbeten ende të panjohura dhe po hetohen për dy nga rastet dhe për të tretin dyshohet si shkak shkëndija elektrike.

Ngjarja e parë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shtyllë, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe toke dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me bimësi.

“Po punohet për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, bëri me dije policia vendore, pa saktësuar nëse ishte aksidentale apo zjarrvënie e qëllimshme.

Kurse në Kolonjë, në magazinën e 63-vjeçarit K. Z., banues në fshatin Barmash, ka rënë zjarr dhe si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Edhe në këtë rast shkaku mbetet i panjohur.

Ngjarja e fundit u regjistrua në Maliq, në fshatin Strelcë, ku dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e D. Z., 79 vjeçe.

“Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet procedurale për të tre rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia vendore.