Prej disa ditësh, një zjarr i fuqishëm vijon të përfshijë zonat malore në bashkinë Finiq, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në malin mbi fshatin Dhivër.
Flakët janë përhapur tashmë edhe në zonën malore pranë fshatit Navaricë, duke shtuar rrezikun për komunitetet përreth.
Forcat zjarrfikëse nga disa bashki të jugut, përfshirë Finiqin, Sarandën, Delvinën, Konispolin, Gjirokastrën dhe Himarën, ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.
Operacioni mbështetet edhe nga forcat operacionale dhe ndërhyrja ajrore, por terreni i vështirë malor dhe përhapja e shpejtë e flakëve kanë vështirësuar përpjekjet e shuarjes.
Autoritetet lokale njoftojnë se përparësi po i jepet parandalimit të përhapjes së zjarrit në drejtim të fshatit Leshnicë, ku banesat e banorëve mund të rrezikohen nëse situata përkeqësohet.
Ndërkohë, u bëhet thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, për të shmangur çdo incident të mundshëm që mund të rrezikojë jetën ose pronën.