
Një banore e moshuar në Delvinë, ku situata nga zjarret paraqitet akoma kritike, kërkoi ndihmë nga shteti pasi tha se i eshte demtuar banesa dhe stani.
Ajo përshkroi situatën e rëndë gjatë natës ku flakët morën përmasa të mëdha, ndërsa thotë se i është dëmtuar shtëpia.E moshuara tregoi gjithashtu se janë angazhuar edhe vetë në shuarjen e flakëve.
“Të gjitha forcat kanë qenë këtu. U dogj shtëpia e stani. Nuk mund të them se nuk kanë qenë. Me një tubë ujë nuk mundemi dot.
Sot ku janë aeroplanët që erdhën, pse u larguan. A e shove zjarrin? A ke ardhur për të ndihmuar, më ndihmo. Më zien zemra, ne e dimë se si jetojmë. “, u shpreh banorja per report tv.
Banorë te tjere thonë se zjarri u afrua shumë pranë banesave të tyre, pasi flakët zbritën nga pylli.
Të gjithë ata thonë i kanë shuar vetë flakët që u afruan pranë banesave, pasi zjarrfikëset nuk shkuan për shkak se ishin përqëndruar në zonën e puseve të naftës.
“Na u afrua zjarri mbi shtëpi. Erdhi policia, na tërhoqi na solli këtu, na largoi nga vdekja. Megjithatë, zjarri është nën kontroll, po vazhdon akoma”, thotë një banor.
“100 rrënjë ullinj shekullorë u dogjën, asnjë njeri nuk erdhi, s’na e varën fare këtë radhë. Mbrëmë ishte panik. Nuk ishte parë ndonjëherë si kjo”, shprehet një tjetër.
“Mbrëmë ishte një natë shumë e vështirë për lagjen tonë. U dogj një pyll aq i bukur këtu lart. Zjarri arriti deri poshtë. U dogjën edhe 2-3 shtëpi këtu.
Asnjë zjarrfikëse, sado që bëmë disa kërkesa, nuk erdhi. Vetëm njerëzit me tubo dhe me kova uji. Të gjitha zjarrfikëset që kishin ardhur që thonë, ishin përqëndruar lart te gazi. Këtu nuk erdhi asnjë”, thotë një i tretë.